Presidentja: Liria jonë është testament nga kolonel Ahmeti
M.Sh/RTKlive
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar kolonel Ahmet Krasniqin, në 25 vjetorin e vrasjes, duke kërkuar që të zbardhet vrasja e tij. “Liria e Kosovës do të ketë më shumë kuptim kur borxhin ndaj kolonelit do ta përmbushim duke zbardhur vrasjen e tij”, ka shkruar Osmani në rrjetin social Facebook.
“25 vite më parë, nga një vrasje tinzare në Tiranë, e fitoi përjetësinë kolonel Ahmet Krasniqi. Kolonelin e vranë, porse jo lirinë, idealin, ëndrrën dhe angazhimin e përjetshëm të tij. Për, kolonelin ka kush të shkruaj sot e përjetë, sepse ai është historia jonë, ai është historia e shtetit të Kosovës”, ka shkruar Osmani.
Veprimtaria e kolonelit, sipas saj, është mbështetur mbi trashëgiminë e babait, të tij, i cili gjithashtu, sië thotë Osmani, ishte një luftëtar për lirinë e kombit.
“Liria jonë është testament nga kolonel Ahmeti dhe qindra heronj, bashkëluftëtarë e bashkëpunëtorë të tij. Qoftë i përjetshëm kujtimi për kolonel Ahmet Krasniqin!”, ka shkruar presidentja Osmani.























