Serwer: Vuçiq s`ka ndërmend të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën
SH.Ç/RTKlive
Analisti i njohur, Daniel Serwer, ka komentar sulmin e armatosur të grupit terrorist serb ndaj Policisë e Kosovës, nga i cili mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku si dhe dy persona mbetën të plagosur.
Serwer ka thënë se ky incident është konfirmim se Vuçiq nuk ka ndërmend të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën.
Sipas tij, dialogu Prishtinë-Beograd me këtë objektiv është mbulesë për qëllimin e tij real, pasi Vuçiq dëshiron ndarjen e katër komunave veriore me shumicë serbe, sikur aneksimin në Ukrainë.
“Ai do të preferonte ndarjen de jure dhe shpreson se suksesi rus në aneksimin e pjesëve të Ukrainës do ta vërtetojë këtë objektiv. Por ai do të vendosej, për momentin, për qeverisje de fakto të veçantë, në formën e një Asociacioni të Komunave me shumicë serbe”, tha ai në Peacefeare.
Sipas tij, Kosova ka treguar se policia e saj mund të trajtojë, me mbështetjen e NATO-s, një grup të armatosur rëndë prej disa dhjeta pjesëtarëve.
Serwer ka thënë se reagimet perëndimore kanë qenë të dobët deri më tani.
“Brukseli dhe Uashingtoni u kanë bërë thirrje “të dyja palëve” që të parandalojnë dhunën dhe përshkallëzimin e mëtejshëm. Kjo në mënyrë implicite barazon performancën e shkëlqyer të Policisë së Kosovës me një kryengritje të armatosur ilegale që mund të kishte shkaktuar destabilitet në mbarë Ballkanin. Ata që janë përgjegjës për politikën ballkanike në të dy kryeqytetet nuk janë të gatshëm të pranojnë dështimin e përpjekjeve të tyre për të joshur Serbinë drejt perëndimit. Në vend të kësaj, ata po kërkojnë një kthim të shpejtë në “dialog”, ka deklaruar ai.
Serwer konsideron se një qasje alternative do të denonconte mbështetjen e Beogradit për kryengritjen e armatosur, duke e etiketuar atë një akt terrorist dhe duke vendosur sanksione kundër Vuçiqit dhe zyrtarëve të tij të mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare.
Serwer ka theksuar se nëse Beogradi dëshiron anëtarësimin në BE, Serbia duhet të arrestojnë dhe dorëzojnë terroristët tek autoritetet e Kosovës, të heqë dorë nga insistimi për qeverisje të ndarë të serbëve në Kosovë, të përkrah anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara e po ashtu të vendos sanksione ndaj Rusisë.
Washingtoni dhe Brukseli duhet gjithashtu të përgatiten për të nxitur Prishtinën që të kontaktojë serbët e veriut për të gjetur alternativa ndaj Listës Serbe.
Përveç kësaj, ai ka deklaruar se Prishtina duhet të përpiqet të sigurojë që të mos ketë incidente anti-serbe në të gjithë Kosovën, në mënyrë që të zhvlerësojë pretendimet e Vuçiqit për spastrim etnik.























