Sulmi në Banjskë, Sveçla: Po hetohet mundësia e përfshirjes ruse
M.Miftari/RTKlive
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, akuzoi Serbinë për përfshirje të drejtpërdrejtë në përleshjet e fundjavës dhe tha se po hetohet mundësia e përfshirjes ruse në sulmin terrorist, që la të vdekur katër persona dhe tensionoi më tej marrëdhëniet mes Kosovës e Serbisë.
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, në intervistë për Associated Press, mes tjerash, tha se hetuesit po shikojnë provat që lidhnin Rusinë, një aleate e Serbisë, me sulmin terrorist.
“Armët ruse, pajisje të tjera dhe dokumente që sugjerojnë përfshirjen ruse u zbuluan pas përleshjes me armë gjatë një dite”, tha ai.
Mëngjesin e së dielës rreth 30 persona të grupit terrorist hapën zjarr ndaj një patrulle policie pranë fshatit Banjskë, me ç'rast vranë rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Ky grup i terroristëve më pas theu portat e Manastiri në Banjskë dhe u barrikadua brenda, ku ishin priftërinjtë dhe pelegrinët vizitorë. Pasi që refuzuan të dorëzoheshin dhe vazhduan të sulmojnë në drejtim të policisë, tre prej tyre u eliminuan, një u plagos dhe u arrestua, derisa të tjerët ikë përmes maleve në drejtim të Serbisë.























