Zjarri kaploi një banesë në Fushë Kosovë dhe një objekt në QKUK/Video
Fatos Cervadiku|RTK
Një objekt banesor në rrugën “Hajrulla Zymi” në Fushë-Kosovë është përfshirë nga zjarri.
Intervenimi ishte i shpejtë nga zjarrfikësit dhe policia që dolën në vend të ngjarjes.
“Tek banesa kam pa se është krijuar temperaturë shumë e madhe nga zjarri për shkak se aty ishin duke u ndezur një numër i madh i sfungjerëve ishte krijuar tepër temperaturë e lartë për shkak të tymit tre persona janë evakuuar nga kati më i lartë se ku ka qenë zjarri, e po ashtu janë evakuuar dy të rritur dhe një fëmijë i moshës 10 vjeçare”, tha Malë Gashi, zëvendësues i komandantit të Brigadës së zjarrfikësve në Prishtinë.
Nga policia bëjnë të ditur për RTK-në se si pasojë e problemeve me frymëmarrje nga tymi, trajtim mjekësor pranuan dy zyrtarë policorë dhe dy persona të tjerë. Njëri nga personat ka kërkuar trajtim edhe në emergjencën e Qendrës Klinike Universitare.
“Një pacient është sjellë me autoambulance nga QKMF në Fushë Kosovë është pranuar këtu, mirëpo ka qenë në gjendje stabile nuk ka pas diçka serioze, vetëm një irritim të rrugëve të frymëmarrjes për shkak të tymit”, tha Ejup Govori, mjek kujdestar.
Në mëngjes, një zjarr kishte shpërthyer edhe në një objekt afarist afër oborrit të QKUK-së. Edhe këtu zjarrfikësit kanë arritur ta lokalizojnë zjarrin ku u shkaktuan vetëm dëme materiale.
“Duhet të shikohen të gjitha parametrat pikë së pari se këtu kemi edhe inspektorët e ndërtimit dhe inspektor komunal se për fat të keq objekti është i ngjitur edhe me fakultetin e mjekësisë i cili ka pësuar edhe dëme dhe duhet të shikohet se cilat janë ata hapa që duhet të i marrim pas vlerësimi të raportit”, tha Lulzim Fushtica, drejtor për siguri dhe emergjenca në komunën e Prishtinës.
Për dy rastet, policia ka nisur hetimet për të sqaruar rrethanat që e shkaktimit të zjarrit.























