Raporti final i OSBE-ODHIR-it: Zgjedhjet të hetohen nga SPAK-u
ATSH
Grupi i Rithemelimit në Partinë Demokratike përshëndeti sot raportin final të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e 14 majit 2023.
Përfaqësuesi për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhjet, Ivi Kaso u shpreh se “raporti është një vlerësim serioz real i gjendjes dramatike të zgjedhjeve në Shqipëri, i cili në shumicën e pikave konkluzive përputhej me gjetjet tona”.
“Për herë të parë pas shumë vjetësh, rekomandimi i parë prioritar nuk është reforma e ardhshme zgjedhore që duhet të bëhet, por thirrja institucioneve për hetimin dhe ndëshkimin e krimeve zgjedhore të këtij procesi, mbasi siç kemi deklaruar në mënyrë të përsëritur në këtë farsë elektorale krimi u shndërrua në votë dhe vota në krim”, tha ai.
Sipas Kasos, raporti i fundit i OSBE-ODIHR është më i ziu në 30 vjet. “I vetmi që krahasohet me të është raporti i vitit 2001. Edi Rama i ka kthyer zgjedhjet 22 vite pas, kur janë shënuar standardet me të ulëta zgjedhore në Shqipërinë e pas viteve ’90”, tha ai.
“Raporti duke u ndalur në pabarazinë ekstreme në zgjedhjet e fundit thekson se qeveria ka abuzuar masivisht me pushtetin dhe burimet shtetërore në favor të kandidatëve të saj, duke prishur barazinë e garës që kërkojnë standardet e OSBE-së”, tha ai.
“Partia Demokratike e përsërit thirrjen e OSBE-ODIHR që zgjedhjet të hetohen dhe i kërkon SPAK të nisë menjëherë punën për zbardhjen e farsës zgjedhore të 2023 dhe zbardhjen e faqes së drejtësisë”, tha Kaso.























