Muja: Opozita s’ka arsye për mosvotimin e marrëveshjeve ndërkombëtare|Video
Sh.Ç/RTKlive
Kuvendi i Kosovës do të mbajë tri seanca plenare gjatë kësaj jave. Deputetët të mërkurën do të shqyrtojnë pikat e mbetura nga seancat e kaluara, të enjten do të mbahet seanca e re plenare, ndërkaq të premten pritet të mbahet seancë e veçantë plenare me vetëm pyetje parlamentare.
Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, ka kritikuar partitët opozitare për mosvotimin pa një arsye të qartë të marrëveshjeve ndërkombëtare.
“Kemi tri marrëveshje ndërkombëtare të rëndësishme. Njëra ndër nga ato është linja hekurudhore 10, pra hekurudha midis Fushë Kosovës dhe Mitrovicës. E dyta është ngrohja solare e Prishtinës dhe e treta që është e rëndësishëm, rrjeti energjetik apo financimi i qeverisë gjermane për KOSTT. Këtu nuk kemi asgjë politike në kushte normale nuk duhet të kishte mospajtim mirëpo për këtë kërkohet edhe vota e opozitës. Kemi vërejtur një tendencë që nga marsi i këtij viti partitë opozitare nuk i votojnë pa dhënë ndonjë arsyetim të qartë se pse po ndodh”, ka deklaruar Muja.
E shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka ritheksuar se nuk do të votojnë asnjë marrëveshje ndërkombëtare, duke pohuar se vendit i duhet një qeveri e re.























