Ibishi: Forcat serbe në kufi nuk paraqesin kurrfarë rreziku
BKT
Lajme

Ibishi: Forcat serbe në kufi nuk paraqesin kurrfarë rreziku

E. Hoti / RTKlive

Njohësi i sigurisë, Nuredin Ibishi e konsideron të kotë kërcënimin e Serbisë me grumbullimin e forcave ushtarake në kufirin me Kosovën. Ai në emisionin “Info Plus”, në RTK, thotë se kjo po bëhet vetëm për opinion serb, sepse Serbia nuk guxon që asnjë metër të kalojë në terrenin e Kosovës.

Përveç KFOR-it që i ka shtuar kapacitetet, Ibishi thotë se edhe Policia e Kosovës është e përgatitur mirë për t’iu përgjigjur çdo kërcënimi.

Situata e sigurisë përkundër një rasti shumë të rëndë të sulmit me një grup të strukturuar mirë, sipas tij, është e qetë, stabile dhe nën kontroll. Ai thotë se policia e Kosovës reagoi shumë shpejtë, e shpartalloi grupin, arrestoi disa nga ta dhe  se situata është përgjithësisht sikur që ka qenë më herët nën kontroll , asnjëherë më mirë.

Kërcënimet që adresohen nga një president i vendit fqinj, apo edhe ministri i mbrojtjes, sipa tij, nuk janë të reja. "Kur ata nuk mund të arrijnë zbatimin e marrëveshjeve, atëherë shkojnë në formë kërcënimi. Përtej kësaj shkon edhe shefi i shtatmadhorisë serbe, i cili thotë se nuk mund t’i iket realitetit se ka prezencë të forcave të armatosura të Serbisë të pozicionuara rreth kufirit të Kosovës. Madje ai thotë se kanë trajnuar nga viti 2021 forcat rezervë dhe pjesëtarë të komunitetit serbë nga Kosova", ka thënë ai.

"Ky është një presion i përdorur edhe më herët kur vet kanë krijuar presione përmes ekstremistëve të vet, pra vet Vuçiqi. Kjo vazhdon tash edhe me formën tjetër. Kur ai nuk gjeti kurrfarë mundësie të arsyetoi sulmin terrorist  me qëllim të shkëputjes së territorit të Kosovës, gjegjësisht edhe themelet e integritetit territorial të saj dhe rregullimin kushtetues, tash çdo herë ai nis forca të armatosura në kufi", thotë ai.

Sipas Ibishit, Serbia nuk guxon ta kaloi kufirin, por krijon presione dhe kërcënime se do ta bëjë një gjë të tillë. Sipas tij, Vuçiqi kohë më parë, para opinionit në Serbi filloi të dërgoi adresime edhe në Kombet e Bashkuara për ndryshimin e rezolutës që të dërgojë forca të armatosura në brendi të Kosovës, e që normal, ajo nuk është miratuar.

Policia e Kosovës, sipas tij, ka kapacitete të shkëlqyeshme dhe profesionale dhe mund t’i përgjigjet çdo kërcënimi.

“Në aspektin e ndërhyrjes eventuale çfarë pretendon Vuçiqi duke koncentruar forcat, është absurde pasi që ai nuk ka një guxim të tillë se ballafaqohet edhe me KFOR-in, por edhe me forcat e NATO-s që tash po i ngritë kapacitetet. Paralajmërimi për 500 ushtarë nga kontingjenti turk, 200 nga Mbretëria e Bashkuar, e tjera paralajmërime që do të ketë ngritje edhe në aspektin numerik edhe kualitativ, është një formë që tregon që ai rrezik nuk ekziston”, deklaroi Ibishi.


MË SHUME NGA Lajme