S’ka kuorum, përfundon seanca
A.B / RTKlive
(E plotësuar) Në mungesë të kuorumit në vendimmarrje për të votuar projektligjet dhe pikat të tjera të rendit të ditës, ka përfunduar seanca e Kuvendit të Kosovës
Live|Miratohet projektligji për shëndetin riprodhues
(E plotësuar, ora 13:45) Kuvendi i Kosovës ka votuar në parim projektligjin për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor.
Në votim morën pjesë 63 deputetë nga 85 sa ishin në sallë. 58 votuan për, një kundër dhe katër abstenuan. Kryetari i Kuvendi të Kosovës, Glauk Konjufca ka konstatuar se projektligji ka kaluar.
Konjufca kritikon deputetët për mos votim të marrëveshjeve ndërkombëtare
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka kritikuar deputetët për mos votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, të cilat për një kohë të gjatë nuk po marrin votat e deputetëve.
Kryeparlamentari tha se një “kuvend që nuk e ka kapacitetin e vet objektiv me kalu marrëveshje ndërkombëtare nuk ia vlen me ekzistu legjislatura hiç”. Ai tha se nuk ka nevojë fare me hy në votim për shkak të kuorumit.
“Me thënë të drejtën unë si kryetar i Kuvendit të Kosovës mendoj që një kuvend që nuk e ka kapacitetin e vet objektiv me kalu marrëveshje ndërkombëtare nuk ia vlen me ekzistua legjislatura hiç”, ka thënë Konjufca.
Ai tha se marrëveshjet ndërkombëtare që janë paraparë të votohen sot, barten në seancat e ardhshme.
Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se nuk do t’i votojnë marrëveshjet ndërkombëtare deri kur të merret vendimi për shkuarje në zgjedhje të reja.
“Grupi Parlamentar i PDK-së sa i përket marrëveshjeve ndërkombëtare e ka qëndrimin e qartë për të gjithë projektligjet që vijnë këtu në Kuvend. Ne nuk votojmë dhe krejt çka kërkojmë dhe angazhohemi është që kjo legjislaturë të marrë fund sa më shpejt dhe të caktojmë datën e zgjedhjeve. Në momentin që të dakordohemi kur ta shpërbëjmë këtë legjislaturë jofunksionale, jemi dakord që brenda asaj dite t’i kalojmë të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare”, tha Tahiri.
E shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi kritikoi mazhorancën për deklaratat se LDK-ja nuk po ua voton marrëveshjet ndërkombëtare.
“Meqenëse në vazhdimësi kemi parë shpifje dhe të pavërteta nga Ministri i Financave që deklaron në ‘Facebook’ se LDK-ja nuk po i voton marrëveshjet ndërkombëtare nuk është e vërtetë, sepse ne i kemi përkrahë përveç një marrëveshje, të gjitha të tjerat”, tha Gashi.

Seanca plenare e Kuvendit të Kosovës
(E plotësuar, ora 13:40) Kuvendi i Kosovës ka filluar punimet e seancës plenare.
Vazhdon seanca plenare, në rend dite disa marrëveshje ndërkombëtare
Kuvendi i Kosovës sot do t`i vazhdojë punimet e seancës plenare. Në rend dite janë 21 pika që do të shqyrtohen nga deputetët kosovarë.
Kuvendi do të ketë pikat e para, disa marrëveshje ndërkombëtare si: Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-212 për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor, votimi i Projektligjit nr.08/L-221 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë dhe projektit ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, KOSTT (Operator Sistemi, Transmisioni dhe Tregu sh. a.) dhe KFË, Frankfurt Am Main (KFË) për Projektin -Zhvillimi i sektorit të energjisë VII – përmirësimi i rrjetit të transmetimit, votimi i Projektligjit nr.08/L-222 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për rindërtim dhe zhvillim për Projektin “Ngrohtorja solare e Prishtinës” dhe votimi i Projektligjit nr.08/L-223 për ratifikimin e Marrëveshjes për bashkëfinancimin e bursave të arsimit të lartë në nivelin master në mes Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Ambasadës së Francës në Prishtinë, raporton RTKlive.
Po ashtu në rend dite janë edhe votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-207 për tekstet shkollore, shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-234 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë për programin e financave publike dhe rritjes ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar, shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-236 për ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze, zgjedhja e Komisionerit Parlamentar për Forcën e Sigurisë së Kosovës, formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e dy (2) anëtarëve nga radhët e komunitetit shqiptarë në Komisionin e Pavarur për Media, shqyrtimi i rekomandimit të Komisionit për ekonomi, industri, ndërmarrësi dhe tregti për shkarkimin e kryesueses dhe anëtarët e Bordit të Komisionit për Pavarur për Miniera dhe Minerale, shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-125 për Pronën Publike, shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-168 për Prokurorinë Speciale, shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-188 për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit nr. 06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës.
Kuvendi do të bëj edhe shqyrtimin e dytë të Projektligjit nr.08/-L-187 për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit nr.08/L-032 të Procedurës Penale, shqyrtimin e dytë të Projektligjit nr.08/L-194 për Sistemin Qendror të Evidencës Penale të Kosovë, shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-245 për artin dhe kulturën, shqyrtimin e parë të Projektligjit nr.08/L-241 për vlerësimin strategjik mjedisor, shqyrtimin e parë të Projektligjit nr.08/L-242 për performancën energjetike të ndërtesave, shqyrtimin e parë të Projektligjit nr.08/L-246 për administrimin e ndërtesave dhe lagjeve të banimit në bashkëpronësi dhe shqyrtimin e parë të Projektligjit nr.08/L-240 për Agjencinë e Regjistrimit Civil.























