Scholz: Është e rëndësishme që situata në Kosovë të mos eskalojë më tej
M.Sh/RTKlive
Kancelari gjerman, Olaf Scholz u ka bërë thirrje dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë për një zgjidhje paqësore të konfliktit ndërmjet tyre. Gjatë një takimi me kryeministrin bullgar, Nikolai Denkov, ku folën për shumë çështje përfshirë emigrantët ilegalë dhe shengenin, folën edhe për zhvillimet në Ballkanin Perëndimor.
“Për mua është shumë e rëndësishme që situata të mos eskalojë më tej kur bëhet fjalë për Serbinë dhe Kosovën. Ne jemi shumë të përkushtuar për një zgjidhje paqësore. Gjermania, Franca dhe Italia janë veçanërisht aktive në këtë drejtim”, tha Scholz në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin bullgar Nikolai Denkov.
Ai shtoi se kjo çështje do të diskutohet të enjten dhe të premten kur liderët e 47 vendeve evropiane do të takohen në Granada të Spanjës.
Kujtojmë se në këtë samit temë kryesore do të jetë zgjerimi i Bashkimit Evropian, ndërsa përveç anëtarëve të BE-së, në samit do të marrin pjesë ndër të tjera liderët e Ballkanit Perëndimor, Ukraina, Moldavia, Gjeorgjia, Turqia, Armenia, Azerbajxhani.
Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel u tha gazetarëve në Bruksel se zgjerimi i BE-së do të jetë ndër temat kryesore të samitit të Komunitetit Politik Evropian, si dhe situata aktuale në Kosovë do të diskutohet në margjinat e këtij samit
Presidentja e Kosovës ka udhëtuar dje ka udhëtuar për në Spanjë, me ftesë të presidentit të Këshillit të Bashkimi Evropian, Charles Michel dhe të kryeministrit të Spanjës, Pedro Sanchez.























