Osmani: Pas sulmit terrorist, Kosova të jetë gati për të gjithë skenarët
BKT
Lajme

Osmani: Pas sulmit terrorist, Kosova të jetë gati për të gjithë skenarët

Përgatiti: M.Miftari /RTKlive

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë qëndrimit të saj në Samitit të Tretë të Komunitetit Politik Evropian, që po mbahet në Granada të Spanjës, ka dhënë intervistë për Die Welt, ku ka folur për situatën në veri të vendit, pas sulmit të 24 shtatorit nga terroristët serbë në Banjskë të Zveçanit.

E para e vendit, në intervistën për Die Welt ngjarjet  e 24 shtatorit i quan si tentativë aneksimi. Ajo ka një kërkesë nga Gjermania që “të kërkojë llogari Serbinë”. 

Ndiqni më poshtë intervistën e plotë:

Zonja Presidente, sulmet që ndodhën në veri të Kosovës në fund të shtatorit, ju i quani një përpjekje për aneksim. Mund ta shpjegoni këtë? Kush saktësisht dëshiron të aneksojë, çfarë?

Osmani: Serbia ka kohë që planifikon të aneksojë veriun e Kosovës. Sipas skenarit të saktë që presidenti rus Vladimir Putin përdori në Krime. Beogradi me propagandën e tij nxit komunitetin serb në Kosovë. Ndërkohë grupet terroriste trajnoheshin në bazat ushtarake serbe. Armët e rënda dhe "njerëz të gjelbër" - paraushtarakë me uniformë pa shenja - u kontrabanduan në veri të Kosovës, përmes rrugëve ilegale. Ne analizuam hartat, pamjet me dronë, armët e sulmuesve dhe telefonat që lanë pas, kur u larguan. Nga kjo rezulton se sulmuesit e 24 shtatorit kanë dashur të kryejnë aksione në 37 vende në të njëjtën kohë, në një operacion hibrid për të pushtuar pjesën veriore të vendit tonë.

Sipas jush, a vepronin burrat me urdhër të drejtpërdrejtë nga qeveria serbe?

Osmani: Absolutisht. Pa aparatin shtetëror serb, ata kurrë nuk do të kishin akses në armët ushtarake që i konfiskuam. Burrat u trajnuan në bazat ushtarake serbe, nën koordinimin e ministrit serb të Mbrojtjes. Krahas kësaj, sipas qeverisë amerikane, Serbia ka rritur në një masë të paprecedentë praninë e forcave të saj të armatosura në kufirin me Kosovën. Kjo tregon se serbët synojnë përshkallëzimin e mëtejshëm. Dhe se synimi i tyre edhe më tutje është të pushtojnë pjesë të Kosovës.

Qeveria serbe thotë se ka tërhequr trupat e saj dhe i ka ulur ato në nivele normale.

Osmani: Nuk është ende e sigurt, presim konfirmimin përfundimtar nga partnerët tanë perëndimorë. Dhe, edhe nëse ndodh, ne duhet të jemi të përgatitur për të gjithë skenarët. Serbia duhet të mbajë përgjegjësi për veprimet e saj. Nëse akti i agresionit nuk ka pasoja, kjo është një shenjë inkurajimi për Serbinë që të përshkallëzohet vazhdimisht. Dhe në një shkallë shumë më të madhe se sulmi që ne kemi parandaluar tani.

Serbia kohët e fundit ka përmirësuar marrëdhëniet e saj me SHBA-në dhe BE-në dhe nuk ka interes për konfrontim me NATO-n. Pse Beogradi do të rrezikonte gjithë këtë?

Osmani: Kjo është një pyetje që do t'ua bëni njerëzve racionalë. Por ne nuk presim ndonjë racionalitet nga lidershipi serb. Ju kujtoj se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka qenë dikur ministër i Propagandës në kohën e Sllobodan Millosheviqit. Dhe sot ai thotë gjëra të tilla si: "Ju mund të na vrisni të gjithëve. Ne nuk do ta njohim kurrë pavarësinë e Kosovës". Kjo është një thirrje zgjimi për të gjithë ata që menduan se Vuçiq mund të sillte paqen. Dikush që toleron gjenocidin nuk mund të jetë paqebërës. Serbisë i duhet një Willy Brandt. Dikë që është gati të pranojë krimet, që do të gjunjëzohet para memorialeve të viktimave dhe kërkoni falje.

Vuçiq akuzon qeverinë tuaj se nuk po bën sa duhet për të mbrojtur pakicën serbe në Kosovë. Ai thotë, për shembull, se popullsia serbe në veri është zvogëluar për dhjetë për qind në krahasim me dy vjet më parë.

Osmani: Kjo është e njëjta retorikë me të cilën Millosheviqi u përpoq të justifikonte luftërat e tij në ish-Jugosllavi në vitet ’90-ta; të njëjtën gjuhë që Putin përdori për të justifikuar pushtimin e tij në shkallë të gjerë të Ukrainës. Qeveria e Kosovës nuk i diskriminon qytetarët e saj në bazë të origjinës së tyre. Realiteti është se njerëzit po i lënë vendlindjet e tyre në të gjithë Ballkanin Perëndimor – përfshirë Serbinë. Nuk bëhet fjalë për etni, por për ekonomi. Njerëzit gjejnë punë me pagesë më të mirë diku tjetër. Prandaj si qeveri duhet të punojmë për të krijuar prosperitet për qytetarët tanë. Nuk duhet të biem në grackën e propagandës së Vuçiqit dhe të lejojmë që të mbizotërojë një ekuilibër i rremë. Sepse në ngjarjet në Kosovë ka një sulmues të qartë dhe një viktimë të qartë.

A ra SHBA në grackën e ekuilibrit të rremë kur vendosi sanksione ndaj Kosovës në maj, për shkak se qeveria juaj kinse nuk kontribuoi mjaftueshëm në qetësimin e situatës?

Osmani: Ky ishte një episod i keqkuptimit që kemi pasur me partnerët tanë ndërkombëtarë dhe që kemi arritur ta kapërcejmë. Sot ne qëndrojmë në unison për të ndaluar sjelljen destabilizuese të Serbisë.

Çfarë roli luan Rusia?

Osmani: Rusia dëshiron të hapë një front të ri kundër Perëndimit në mënyrë që vëmendja e Perëndimit të shpërndahet në disa konflikte në vend që të përqendrohet në Ukrainë, ku me të drejtë është vendosur për momentin. Moska është gjithashtu e interesuar për përshkallëzimin e ri në Ballkanin Perëndimor, sepse dëshiron të prishë sistemin e bazuar në vlera të BE-së dhe NATO-s. Dhe Vuçiq, miku më i mirë i Putinit, po e ndihmon atë. Në të kundërt, Rusia e ka mbështetur Serbinë politikisht, ushtarakisht dhe ekonomikisht vitet e fundit.

Çfarë kërkoni nga perëndimi dhe veçanërisht nga Gjermania në situatën aktuale?

Osmani: Njëra është garancia e sigurisë. Kufiri ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të sigurohet për të parandaluar çdo kontrabandë të mallrave ushtarake. Për këtë kemi nevojë për mbështetje nga NATO, sigurisht në bashkëpunim me forcat tona policore. Nga ana tjetër, Serbia duhet të mbajë përgjegjësi dhe Gjermania mund të ndihmojë për këtë. Është me të vërtetë e vështirë të arrihet konsensusi i kërkuar për veprim në nivel të BE-së. Por qeveria federale ka një sërë mjetesh në dispozicion për t'i dërguar një mesazh të qartë Serbisë në nivel dypalësh, për shembull përmes sanksioneve.

Ju vetë vini nga veriu i Kosovës dhe e keni përjetuar luftën si e re. Nga përvoja juaj personale, çfarë ju shqetëson për situatën aktuale?

Osmani: Kam lindur në Mitrovicë. Sot fëmijët e vegjël në Kosovë zgjohen me të njëjtin ankth që na ndoqi si fëmijë në fillim të viteve 1990. Dhe kjo për shkak se ka politikanë në pushtet në Serbi që duan ta kthejnë rajonin në të kaluarën. Ne duam të kundërtën. Ne nuk duam që brezi i ri të kalojë atë që kemi përjetuar në fëmijërinë tonë. Unë sinqerisht shpresoj se do të kemi mbështetjen e aleatëve dhe partnerëve tanë për ta siguruar këtë dhe për të mbrojtur atë që kemi arritur.

 

 

 


MË SHUME NGA Lajme