Lajçak: Koha që Ballkani Perëndimor të bëjë përparim drejt BE-së
F.Sertolli / RTKlive
Emisari Special i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera ballkanike, Miroslav Lajçak, në një përmbledhje të angazhimit e tij diplomatik përgjatë javës së fundit, ka veçuar Forumin e Sigurisë “То be Secure (2B Secure Forum)” në Budvë, i cili organizohet nga Këshilli Atlantik i Shteteve të Bashkuara (SHBA) dhe nën patronatin e Qeverisë së Malit të Zi.
Përmes një postimi në Facebook, Lajçak ka thënë se ka ardhur koha që Ballkani Perëndimor të bëjë përparim të shpejtë në rrugën drejt BE-së.
“Kjo është ajo që theksova në Forumin ‘To Be Secure’ të këtij viti në Budvën e bukur të Malit të Zi. Këtë vit, forumi u fokusua në sfidat dhe mundësitë që lindin në epokën e konkurrencës së fuqive të mëdha, duke u fokusuar veçanërisht në aspektet e sigurisë dhe demokracisë”, ka shkruar ai.
Tutje, shkruan Lajçak, rrethanat dhe fazat e ndryshme në rrugëtimet e tyre individuale drejt BE-së, kërkojnë qasje unike dhe të personalizuara nga ana jonë.
Në të njëjtën kohë, sipas tij, urgjenca e përfshirjes së anëtarëve të rinj në bllok, nënvizuar nga lufta në Ukrainë, nuk përballet me entuziazëm, por më tepër me stagnim dhe kthim prapa në rajon.
“Kjo duhet të ndryshojë shpejt”, vlerëson Lajçak.
Po ashtu ai ka njoftuar se para vizitës në Mal të Zi, të martën ka zhvilluar një takim me dy prej grupacioneve më të mëdha në Parlamentin Evropian (PE), të cilëve, siç shkruan ai, u ka dhënë detaje për “më të rejat” në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nën ndërmjetësimin e BE-së.
“Pata rastin t’i informoj anëtarët e Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve (S&D) dhe Partisë Popullore Evropiane (EEP) mbi gjendjen e dialogut dhe zhvillimet e tjera rajonale. Më pëlqeu diskutimi shumë i hapur dhe jam mirënjohës për interesin në punën tonë në Ballkanin Perëndimor pasi zëri i parlamentit ka rëndësi në rajon dhe më gjerë”, ka shkruar Lajçak.























