Raportet financiare për RTK-në votohen në mbledhjen e ardhshme
BKT
Foto/ Visar Shatrolli/ RTK
Lajme

Raportet financiare për RTK-në votohen në mbledhjen e ardhshme

Sh.Ç &A.B/ RTKlive

(E plotësuar, ora 14:05) Për shkak të mungesës së deputetëve në mbledhjen e sotme të Komisionit, raporti i shpenzimeve të Radio Televizionit të Kosovës për periudhën prill- qershor 2023, si dhe kërkesa e RTK-së për ndarjen e mjeteve për periudhën tetor-dhjetor 2023 pritet të votohen në mbledhjen e radhës. Poashtu edhe raportit vjetor financiar të Radio Televizionit të Kosovës për vitin 2022, do të shqyrtohet në mbledhjen e radhës, pasi anëtarët e Komisionit do të presin sqarime shtesë nga menaxhemti.

Ndryshe, deputetët e Kuvendit të Kosovës, njëherësh anëtarë të Komisionit për Buxhet, u interesuan rreth zhvillimeve në RTK. Bordi dhe menaxhmenti dhanë informata për zhvillimet në RTK, si për numrin e punëtorëve, financat, prokurimet, marketingun, EBU, vizitat, etj.

Raportimin e plotë mund ta ndiqni në videon e më poshtëme

Ahmetxhekaj: Ristrukturimi në RTK fillon në janar të vitit të ardhshëm

(E plotësuar, ora 13:22) Bordi dhe manaxhmenti i RTK-së, po raportojnë në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere të Kuvendit të Kosovës, ku edhe u janë përgjigjur pyetjeve të deputetëve.

Deputeti Pal Lekaj, kërkoi nga bordi dhe manaxhmenti i RTK-së, që të ketë transparencë rreth reformës në RTK. Ai ka dhënë kritika rreth menaxhimit të RTK-së. Lekaj tha se nëse shkon buxheti mbi 80 % për paga, nuk e din se çfarë vizitonin ka. Sipas tij reforma është e kushtueshme.

Lekaj, kërkoi edhe informata rreth çështjes së peticionit për shkarkimin e kreut të bordit të RTK-së.

Deputeti Visar Korenica, tha se janë të vetëdijshëm se ka pasur probleme, por se auditori ka vlerësuar se ka përparim në RTK. Ai ka përmendur rastin e pagesës për mbeturina, ku janë paguar mijëra euro, ndërsa tani është zvogëluar në mënyrë drastike.

Deputeti Ferat Shala, kërkoi nga bordi dhe manaxhmenti i RTK-së, të tregojnë se cilat janë aktet ligjore që janë marrë parasyshë për reformën. Ai ka kërkuar të ketë informata, pasi që sipas tij, reforma ka kosto. Shala ka kërkuar që brenda 10 ditëve të kenë raporte për këtë çështje.

Armend Muja, kryetar i Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, tha se RTK është një nga organizatat më të mëdha buxhetore në Kosovë. Ai tha se 84 % e buxhetit shkon në paga të punëtorëve të RTK-së.

“Është e vërtet që ju i shpenzoni diku rreth 700 mijë euro më pak për paga, kjo është fakt, por rroga mesatare në RTK është rritur”, tha Muja.

Por, drejtori i Përgjithshëm i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj, deklaroi se nuk ka pasur rritje të pagave në RTK.

“Nga viti i kaur ne kemi ndryshuar formën e raportimit me kërkesë të këtij komisioni. Ne nga viti i kaluar ne kemi filluar që shujtën për secilin punëtor, ta llogarisim si pagë, kjo i bie që është 50 euro si pagë që në të kaluarën i kanë marrë si të veçantë, vlera totale e saj është rreth 390 mijë euro. Absolutisht nuk ka rritje të pagave në RTK”, tha ai.

Ahmetxhekaj, ka folur edhe për sistematizimin e vendeve të punës në RTK. “Ristrukturimi në RTK do të fillojë në janar të vitit të ardhshëm, pra do të fillojmë më sistemim të ri”, tha ai.

“Ne kemi një raport që ka konstatuar që RTK-ja të ketë ristrukturim, këtë raport e kemi të klasifikuar sepse është raport i brendshme, mund të jua dërgojmë juve, por që nuk duhet që të dal në publikë. Arsyeje e përmend është që në nuk dëshirojmë që ai të del në publikë në kohën kur ne jemi duke bërë diskutime në momentin qe diskutohen do të dalin të gjitha. Nëse ndodh tani do të dëmtoheni”, tha Ahmetxhekaj.

Ahmetxhekaj: Raporti i këtij viti është dukshëm më i mirë se vitet e kaluara

(E plotësuar, ora 11:45) Bordi dhe manaxhmenti i RTK-së, po raportojnë në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere të Kuvendit të Kosovës.

Drejtori i Përgjithshëm i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj gjatë raportimit në komision, tha se RTK ka balancim, dhe nuk ka më shumë ose më pak për raportim për ndonjë lider të caktuar.

“Sa i përket asaj se më shumë del presidentja se sa kryeministri, nuk pajtohem me këtë konstatim. Një gjë është e sigurt në RTK, nëse flasim për ngjarje të zakonshme protokalare, shkon siç është e përcaktuar në kushtetutë”, tha ai

Ahmetxhekaj ka folur dhe për ndryshimet që bërë në RTK. Sipas tij, janë blerë kompjuterë të rinj në RTK në vitin e kaluar, megjithë shkurtimet e buxhetit. Ai ka folur edhe për promot e UÇK-së. Sipas tij, RTK ka tri këngë të caktuara që shfaqen në termine të caktuara, e që i janë kushtuar luftëtarëve të UÇK-së.

Boletini: E papranueshme të përdoren terme jo kushtetuese në RTK

Kryetari i Bordit të RTK-së, Besnik Boletini ka folur për suspendimin e drejtorit të RTK2. Ai ka thënë se është e papranueshme që të përdoren terme jo-kushtetuese në RTK.“Suspendimi i drejtorit të RTK2 është në kuadër të vendimeve që kemi marrë për respektim të kushtetutshmërisë, raportimit korrekt”, tha Boletini.

Boletini tha se RTK nuk i jep përkrahje Qeverisë e Presidencës, por i mbulon ngjarjet që organizohen nga ta, sipas tij, deri me tani nuk është evidentuar një gjë e tillë. Ai tha se RTK ka obligim të përcjellë Qeverinë dhe Presidencën.

Kurse, drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj, gjatë raportimit para Komisionit ka thënë se raporti i këtij viti është dukshëm më i mirë se në vitet e kaluara. Ai tha se gjetjet janë adresuar dhe se ka një progres të jashtëzakonshëm.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Mërgim Lushtaku tha se është dështim pse nuk është arritur të mbështetet RTK. Lushtaku tha se dënimi që bordi i kanë dhënë drejtorit serb të RTK2, që ka përdorur terme kundër-Kushtetuese në lidhje me sulmin terrorist në veri të vendit, është për tu lavdëruar.

Ai më këtë rast pati edhe kritika në lidhje me transmetuesin publik, ku sipas tij, ky televizion nuk është duke i dhënë mjaftueshëm hapësirë gjykimit të krerëve të UÇK-së në Hagë, por hapësirë më të madhe në lajmet sipas Lushtakut është duke marr Qeveria e Presidenca.

“Keni dhënë një dënim drejtorit të RTK2, ku me këtë rast është ruajtur kushtetutshmëria e Kosovës. Kemi parë edhe disa gjetje që nuk janë të mira dhe kërkesat e sindikatave për shkeljet që po bëhen nga menaxhmenti dhe bordi”, tha ai.

Komisioni për Buxhet vazhdon shqyrtimin e raportit vjetor të RTK-së

(E plotësuar, ora 11:25) Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere i Kuvendit të Kosovës po vazhdon shqyrtimi i raportit vjetor financiar të Radio Televizionit të Kosovës për vitin 2022.

Po ashtu do të bëhet edhe shqyrtimi i raportit të shpenzimeve të Radio Televizionit të Kosovës për periudhën prill- qershor 2023, si dhe shqyrtimi i kërkesës së RTK-së për ndarjen e mjeteve për periudhën tetor-dhjetor 2023.

 

Komisioni për Buxhet do të shqyrtojë raportin vjetor të RTK-së

RTKlive

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere i Kuvendit të Kosovës sot do të mbajë mbledhje. Në këtë mbledhje do të vazhdojë shqyrtimi i raportit vjetor financiar të Radio Televizionit të Kosovës për vitin 2022.

Po ashtu do të bëhet edhe shqyrtimi i raportit të shpenzimeve të Radio Televizionit të Kosovës për periudhën prill- qershor 2023, si dhe shqyrtimi i kërkesës së RTK-së për ndarjen e mjeteve për periudhën tetor-dhjetor 2023.

Në këtë mbledhje është paraparë edhe raportimi i Agjencisë së Statistikave lidhur me procesin e regjistrimit të popullsisë, ku të të ftuar janë përfaqësuesit e Agjencisë së Statistikave të Kosovës.

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere do të bëj edhe shqyrtimin e raportit vjetor financiar të Autoritetit Rregullator për Shërbime të Ujit për vitin 2022.


MË SHUME NGA Lajme