Ekspozita “100-vjetori i marrëdhënieve diplomatike Turqi-Shqipëri”
atsh
Në Hollin Kryesor të Muzeut Historik Kombëtar, u çel një ekspozitë në kuadër të 100-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike Turqi-Shqipëri, organizuar nga Instituti Yunus Emre Tiranë në bashkëpunim me Ambasadën e Turqisë në Shqipëri dhe Muzeun Historik Kombëtar.
Drejtoria e Arkivave Shtetërore të Presidencës së Turqisë ka përgatitur këtë ekspozitë me 36 dokumenta dhe 12 fotografi të përzgjedhura nga koleksionet dokumentave të Arkivit të Republikës për të pasqyruar ecurinë e marrëdhënieve diplomatike Turqi-Shqipëri duke filluar nga viti 1923.
Këto dokumente dhe fotografi janë përzgjedhur në mesin e mijëra materialeve në lidhje me marrëdhëniet Shqipëri-Turqi duke marrë për bazë zhvillimet diplomatike 100-vjeçare mes dy vendeve.
Ekspozita që risjell në vëmendje periudhën nga viti 1923 deri në vitet 2000, na tregon se marrëdhëniet midis dy vendeve nuk janë vetëm të spektrit politik dhe diplomatik. Ajo nxjerr në pah edhe përpjekjen e dy popujve me të kaluar të përbashkët për të ecur drejt së ardhmes në paqe dhe në partneritet strategjik mes njëri-tjetrit.
Fotografitë e shfaqura në ekspozitë, janë provat më konkrete që vërtetojnë se deri në çfarë grade kanë arritur këto marrëdhënie dhe përpjekje në vitet e fundit.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në datë 16 Tetor 2023 në ambientet e Hollit Kryesor të Muzeut Historik Kombëtar.























