Kurti: Kemi shënuar rekord të të mbjellave
BKT
Lajme

Kurti: Kemi shënuar rekord të të mbjellave

E. Hoti / RTKlive

Kryeministri i Kosovës , Albin Kurti ka thënë se në dy vjet e gjysmë qeverisje, kanë shënuar rekord të të mbjellave që prej pasluftës.

Në një postim në Facebook, Kurti ka thënë se përkrahjen me subvencione për bujqit dhe fermerët e kanë rritur deri në 216%.

“Në krahasim me dy vite më parë, sipërfaqet e të mbjellave me drithëra janë rritur për gati 2/3. Sepse përkrahjen me subvencione për bujqit dhe fermerët e kemi rritur deri në 216%. Mbi 214 milionë euro është vlera e mbështetjes financiare deri më tani. Për herë të parë, kemi subvencionuar naftën dhe plehun bujqësor. Sigurimeve bujqësore u janë shtuar edhe gjashtë kultura të reja, kurse primin e sigurimit e kemi subvencionuar për 75%”,ka shkruar Kurti.

Ai ka theksuar se aplikimi për subvencione dhe grante është bërë më i lehtë, teksa keqpërdorimet dhe korrupsioni janë ndalur.

“Aplikimi për subvencione dhe grante është bërë më i lehtë. Keqpërdorimet, padrejtësitë dhe korrupsioni janë ndalur. Gjasat për të përfituar bujqit dhe fermerët meritorë janë rritur. Për herë të parë janë aprovuar 50% të aplikimeve për grante, teksa numri i fermerëve të mbështetur çdo vit është mbi 30 mijë.Fermeri i Kosovës sot, është fermeri më i përkrahur në rajon”, ka shkruar Kurti.


MË SHUME NGA Lajme