Boletini: Punëtorët e RTK-së nuk do të mbesin pa rroga
BKT
Lajme

Boletini: Punëtorët e RTK-së nuk do të mbesin pa rroga

Në Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere i Kuvendit të Kosovës sot ka vazhduar shqyrtimi i raportit financiar i RTK-së për vitin 2022 si dhe raporti i shpenzimeve për periudhën prill-qershor 2023. Komisioni parlamentar për buxhet nuk arriti të miratojë kërkesën për ndarjen e mjeteve buxhetore për tre muajt e ardhshëm për RTK-në.

Kryetari i Bordit të RTK-së, Besnik Boletini, në “Lajmet e Fundit”,  premtoi se punëtorët e RTK-së nuk do të mbetën pa rroga, sepse ndarja e mjeteve buxhetore për tre muajt e ardhshëm do të bëhet me kohë. Ai sqaroi se sot nuk kishte kuorum për aprovimin e kësaj kërkese, por gjithçka është brenda afateve.

Boletin tha se përkundër shkurtimit të mjeteve për RTK-në raporti i auditorit tregon se gjatë viti 2022 ka pasur një menaxhim të mirë. Ai përmendi edhe shlyerjen e një borxhi prej 300 mijë eurosh, përkundër shkurtimit të buxhetit.

Kryetari i Bordit edhe një herë përmendi sfidat me të cilat po përballet RTK-ja. Njëra nga sfidat kryesore, tha ai, ka të bëjë me pronën e RTK-së.

“Për këtë jemi angazhuar që nga marrja e mandatit, kemi bërë shumë punë, por muajve të fundit ka ngecje. Opsioni ynë është që RTK të mbetet në qendër, por ka edhe opsione tjera”, tha Boletini.

Kryetari i Bordit më pas foli edhe për gjetjen e mënyrës së financimit të transmetuesit publik.

“Kemi bërë analiza të detajuara për mënyrën e financimit të RTK-së, kemi ndjekur praktikat e vendeve tjera, por kjo duhet të përfshihet në Ligj”, tha ai, njëherësh përmendi edhe mungesën e teknologjisë se re, si njërën nga sfidat.

Boletini foli edhe për reformat në RTK, për çka tha se janë marrë vendime për disa propozime konkrete, por nuk foli për mundësinë e shkurtimeve të stafit.

“Nuk mund të dimë nëse do të ketë shkurtime, derisa jemi në proces, por do të ketë risistemime, do ta shqyrtojmë edhe opsionin e dërgimit në pension të parakohshëm”, tha ai, duke thënë se ka mbingarkesë të punëtorëve në administratë.

Boletini përmendi edhe suspendimin e drejtorit të RTK2. Ai tha se kishte raportim jo korrekt dhe dezinformim, si dhe janë përdorur terme jokushtetuese, gjë që nuk lejohet në RTK. “Ne e kemi suspenduar për një muaj, por kjo do të shqyrtohet në të ardhmen”, tha ai.

Lidhur me peticionin kryetari i Bordit të RTK-së, Besnik Boletini u shpreh se diskutimi në mbledhjen përkatëse ka pasur të bëjë me një vendim për raportimin e aktiviteteve të punës.

“Mendoj që aty ka qenë thelbi i shqetësimit dhe një prej arsyeve që kam ardhur ka qenë  me e sqarua edhe këtë çështje, sepse e kam parë që është manipuluar dhe devijuar dhe ka krijuar një lloj pakënaqësie. Tash në diskutim e sipër unë kam cituar diçka që më është thënë nga kolegët tanë këtu, në përditshmëri, dhe nuk ka pasur të bëjë as me komentim të veshjeve, por me procesin e ardhjes në punë, apo daljes nga puna. Unë nuk kam dashur të flasë derisa ka filluar ky lloj reagimi edhe e kam lënë të shkojë procesi, sepse, në fund të fundit, është vullnet i gjithsecilit të shpreh mendimin. Ka qenë çështja e evidentimit në punë për të cilën e kam parë që ka pasur një lloj devijimi”, ka deklaruar Boletini në “Lajmet e fundit”, në RTK.


MË SHUME NGA Lajme