Rama: Serbia mban përgjegjësi të madhe për sulmin në Banjskë
BKT
Lajme

Rama: Serbia mban përgjegjësi të madhe për sulmin në Banjskë

Sh.Ç /RTKlive

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se pozicioni i vetëdobësuar diplomatik i Kosovës në sytë e BE-së e SHBA-së dhe viktimizimi i Serbisë falë dhuratave të marra bujarisht nga gabimet e Prishtinës zyrtare, po ia vështirësojnë përpjekjet për ta zgjidhur situatën pas tensioneve në veri. 

Në seancën e Kuvendit të Shqipërisë, ku pritet të votohet rezoluta që dënon sulmin e grupit paramilitar serb në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, Rama i ka bërë thirrje institucioneve në Kosovë të reflektojnë për kërkesat e Brukselit dhe Washingtonit.

“Pozicioni i vetëdobësuar diplomatik i Kosovës në sytë e BE-së dhe SHBA-së dhe vetë viktimizimi diplomatik i Serbisë në ata sy, falë dhuratave politike të marra bujarisht nga gabimet e Prishtinës zyrtare, e bëjnë jo të lehtë këtë përpjekje nga ana jonë, të cilën e kemi vazhduar në çdo instancë dhe çdo rrethanë. Këtë e bëmë edhe në samitin e Komunitetit Politik Evropian, ku bashkë me presidenten Osmani kemi folur me aktorët politikë për nevojën e një qëndrimi adekuat të BE-së ndaj këtij përshkallëzimi të rrezikshëm”, ka thënë Rama.

Ai ka theksuar se Beogradi zyrtar mban një përgjegjësi të madhe për sulmin në Banjskë.

"Jo vetëm që nuk e dënoi agresionin, por e mbuloi me flamurin kombëtar të zisë, përderisa nuk shpalli thirrjen për hetim, bashkë me të gjitha forcat e përfshira në procesin e normalizimin”, ka deklaruar ai.

Rama kritikoi ish-kryeministrin Sali Berisha, tash lider opozitar, se po tenton që përmes rezolutave të tilla të bëjë “propagandë patriotike”. Kryeministri Rama ka thënë se Shqipëria si vend kandidat i BE-së nuk ka se kujt t’ia drejtojë këto rezoluta.

“Shqipëria një vend kandidat për në BE, që ka ulësen dhe të gjitha rrugët e komunikimit me botën demokratike dhe ambasadorët e vet, kujt ja drejton një rezolutë si ajo që na u propozua? Cilat parlamente të vendeve anëtare të NATO-s miratojnë rezoluta të tilla, drejtuar botës? Ndërkohë që janë pjesë e tij, cili është qëllimi i një nisme të tillë? Përtej propagandës kinse patriotike, draft-rezoluta të tilla shfaqen si dru për oxhakun kundër qeverisë, herë si politikë ditore e herë si thirrje në skenë të viktimave të Enverit për të luftuar me qeverinë në Parlamentin e shekullit 21”, ka thënë ai.

Rama: Me Albinin s’kam problem, me kryeministrin e Kosovës kam divergjenca botëkuptimore

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ka divergjenca botëkuptimore mbi mënyrën se si të arrihet qëllimi i përbashkët kombëtar. Por ai shton se me Kurtin nuk ka ndonjë problem personale.

Rama ka thënë se më shumë e ka mik Kurtin sesa Ramush Haradinajn, me të cilin kishte përplasje të mëdha gjatë kohës sa Haradinaj ishte kryeministër i Kosovës.

“Albin Kurtin e kam mik më shumë se Haradinajn. Me Albinin s’kam pasur problem personal. Por me kryeministrin e Kosovës kam divergjenca botëkuptimore mbi mënyrën se si arrihet te qëllimi i përbashkët kombëtar. Prandaj marrëdhënie miqësore nuk më ka penguar me të tjerët më parë, e as që më pengon tash për të diskutuar divergjencat botëkuptimore që kemi”, ka thënë Rama në Kuvendin e Shqipërisë.

Ai ka pasur kritika të mëdha për videot që ai i ka quajtur propagandistike për të sulmuar kundërshtarët politikë, duke aluduar në pushtetin në Kosovë.

Rama se pse i tha veriut, tokë e askujt: S’ka kontroll, lulëzon krimi si në Lazarat

Kryeministri shqiptar Edi Rama e ka sqaruar se pse e ka quajtur veriun e Kosovës si tokë të askujt, duke thënë se aty nuk ka kontroll dhe ka lulëzim të krimit.

“Nuk kam shpresë se do të ma lehtësojë akuzën për tradhtar përderisa edhe një lapsus Financial Times, e cila në zbardhjen e intervistës time të dhënë në telefon, kishte harruar fjalën ‘veri’ përpara fjalës “Kosovë”, e cila u korrigjua menjëherë bashkë me ndjesën publike të gazetarit britanik, unë e kategorizoj veriun e Kosovës me shprehjen angleze ‘no man’s land’”, ka thënë Rama në Kuvendin e Shqipërisë.

“Pse nuk qenka kur aty lulëzojnë aktivitete kriminale? Kur nuk ka asnjë kontroll dhe asnjë mundësi të parashikosh se cfarë vjen nesër? Çfarë ishte Lazarati? No man’s land. Shumë e thjeshtë. U nxjerr nga një kontekst, u keqshfrytëzua me një epsh të posaçëm nga të gjithë sazexhinjtë dogmatikë, nga kalemxhinjtë e Prishtinës dhe Tiranës, përfshirë dhe të planetit non grata që e futën me vrap si provë në dosjen e aktakuzës të shërbimit tim ndaj Beogradit”.

“Dihet shumë mirë, atyre që propagandojnë akt akuzën ndaj meje si agjent i Beogradit nuk u intereson fare as përgjigja ime, as debati i shëndetsëhm demokratik por vetëm ushqimi i sherrit, mbajtja ndezur e konfliktit, shfrytëzimi dhe jo prerja e thonjve në krizës në veri të Kosovës. ato thonj juve ju interesojnë dhe kjo është sot tragjedia e Kosovës”.


MË SHUME NGA Lajme