Ekspertët: I pa arsyeshëm, mosvotimi i marrëveshjeve ndërkombëtare
Pajtim Çuni/ RTK-Radio
Mungesa e konsensusit dhe bllokimi i ratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvendin e Kosovës po vlerësohet si i pa arsyeshëm nga njohës të rrethanave politike dhe ekonomike. Sipas tyre, sabotim i marrëveshje ndërkombëtare për teke politike, ndikon keq në aspektin politik dhe ekonomik të Kosovës.
Që nga fillimi i sesionit vjeshtor, Kuvendi i Kosovës nuk ka ratifikuar asnjë marrëveshje ndërkombëtare, ndonëse në thuajse secilën seancë të mbajtur që nga 14 shtatori ishte paraparë votimi për to.
Në shenjë pakënaqësie me punën e Qeverisë, partitë opozitare kanë vendosur që të mos përkrahin shumicën parlamentare. E, në mungesë të 80 votave të nevojshme, kyeparlamentari Glauk Konjufca vendosi të tejkalojë votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare në seancën e 12 tetorit.
“Dy marrëveshje ndërkombëtare i kemi, por unë po besoj se nuk ka kushte për këto marrëveshje. Konsideroj që grupet parlamentare nuk i votojnë këto. Kështu që, dalim te pika e pestë”, tha ai.
Duke komentuar këtë situatat që po ndodh në “shtëpinë” e miratimit të ligjeve, politologia Arta Tahiri-Beqa thotë për Radio Kosovën se për marrëveshjet ndërkombëtare duhet unifikim pozitë-opozitë.
“Një sabotim i tillë vetëm për teke politike, nuk është diçka e mirë nga ana e opozitës. Opozitarizmi mund të bëhet në forma e rrethana të ndryshme, kur ka çështje të cilat nuk janë kaq jetike për qytetarët. Në të kaluarën, pavarësisht ndryshimeve ose mendësisë politike pozitë-opozitë, marrëveshjet ndërkombëtare kanë pasur mbështetjen e të dy palëve dhe kjo i ka ndihmuar jashtëzakonisht shumë zhvillimit ekonomik të Kosovës”, tha ajo.
Nga ana e tij, njohësi i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, thotë se është për keqardhje mos votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare, çka ndikon keq në imazhin ndërkombëtar dhe zhvillimin e Kosovës.
“Nëse sot kemi marrëveshje strategjike nga të cilat fiton shteti, qytetarët dhe imazhi i Kosovës, e këto nuk votohen, atëherë ky është mjerimi më i madh që ka katandisur vendin dhe parlamentin. Prandaj, vlerësoj se këto pamje që vijnë nga parlamenti janë duke dëmtuar Kosovën në shumë dimensione. Janë të dëmshme në aspektin politik dhe shkatërrimtare në aspektin ekonomik”, tha ai.
Mungesa e unitetit pozitë-opozitë në lidhje me votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare po vlerësohet negativisht edhe nga shoqëria civile.
“Përplasjet për interesa partiake ndërmjet pushtetit dhe opozitës, dëmtojnë mirëqenien e qytetarëve. Pesë marrëveshje ndërkombëtare që janë sjellë për votim në seanca të Kuvendit, po dështojnë të miratohen në Kuvend që nga prilli i këtij viti edhe pse kanë qenë pjesë e rendit të ditës në 28 seanca”, kanë thënë ditë më parë nga Instituti Demokratik i Kosovës.























