100 vite burg për 15 anëtarët e grupit të trafikut ndërkombëtar të drogës
RTSH
Gjykata e Posaçme (GJKKO) ka dhënë 100 vite burg për 15 anëtarët e grupit të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës, teksa njëri, Luan Zylyftari është shpallur i pafajshëm. Në total për 15 personat u firmosën 150 vite burg, por me gjykim të shkurtuar dënimi u konvertua në 100 vite.
Kujtojmë se operacioni "Shpirti" u zhvillua 2 vite më parë, në korrik 2021, ku u goditën disa grupe kriminale. Hetimi i autoriteteve italiane për 5 vite me radhë çoi në pranga 38 persona.
Në atë kohë u sekuestruan 4 milionë euro pasuri. Ishin 4 bashkëpunëtorët e drejtësisë që rrëfyen para autoriteteve italiane se si ishte bërë trafikimi i drogës nga Shqipëria drejt Italisë.
Si kokë të grupit konsideronin Ilirjan Duçellarin, ndërsa mes të arrestuarve kishte punonjës policie dhe 2 ish-shoqëruesit e ish-ministrit Saimir Tahiri, Agustin Deda dhe Hekuran Marku.
Çështja për personat e tjerë që po gjykohen është ndarë për shkak se disa kanë shkuar me gjykim të zakonshëm dhe për disa të tjerë është pushuar. "Shpirti" erdhi pas 2 operacioneve të mëparshme të koduar "Shefi" dhe "Kulmi" të zhvilluar në vitet 2018 dhe 2020.























