Sejdiu: Ahtisaari, burrështetas i mençur dhe diplomat i kalibrit të rrallë
BKT
Lajme

Sejdiu: Ahtisaari, burrështetas i mençur dhe diplomat i kalibrit të rrallë

N.M. /RTKlive

Ish- presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka shprehur pikëllimin që ndien për vdekjen e kryenegociatorit për statusin e Kosovës, Martii Ahtisaarin, i cili vdiq të hënën. Ai ka thënë se lajmi për vdekjen e tij është rast i veçuar i kujtimit dhe falënderimit përjetësisht për presidentin  Ahtisaari, me të cilin thotë se punuan bashkë në procesin e bisedimeve në Vjenë.

Sejdiu thotë se mendimi i tij dhe i gjithë popullit të Kosovës sot i përkushtohet kujtimit të vlerave të këtij kolosi të politikës dhe diplomacisë kulmore botërore.

“Kam shumë kujtime nga takimet me presidentin Ahtisaari, Emisarin Special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, diplomatin, që luajti rol kyç në procesin e bisedimeve në Vjenë. Këto bisedime  hapën rrugën për shpalljen e Pavarësisë nga Kuvendi i Kosovës, më 17 shkurt 2008.

Janë të paharrueshme bisedimet e Vjenës 2006-2007 dhe veçmas takimet me Emisarin Special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, laureatin e shumë shpërblimeve dhe të dekoratave në mesin e të cilave edhe të Çmimit Nobel për Paqe, Presidentin e Finlandës Martti Ahtisaari”, shkruan Sejdiu.

Ai thotë se kishte njohuri edhe më parë për aftësitë e Ahtisaarit prej burrështetasi të mençur dhe diplomati të kalibrit të rrallë. Përveç udhëheqjes së suksesshme të vendit të tij, ai është dalluar me rolin si i deleguar special në misione të ndryshme ndërkombëtare.

“I veçantë ka qenë edhe angazhimi lidhur me Kosovën në takimet me Millosheviqin. I qartë, i prerë dhe pa dilemë, sikur edhe misionarët amerikanë Ollbrajt, Hollbruck dhe Komandanti i NATO-së Wesley K. Clark. Millosheviqit i kishte treguar se ai duhet të heqë dorë nga dhuna dhe terrori në Kosovë, në të kundërtën do të bartë pasoja të rënda ai dhe vendi i tij. Në përgatitje të rifillimit të bisedimeve, Martti Ahtisaari, bashkë me anëtarë të ekipit të tij, për pak ditë erdhi në Prishtinë. Saktësisht me 1 mars 2006. Biseda qe jashtëzakonisht përmbajtësore dhe e pa rezerva”, tha Sejdiu.

Ai tregon se Presidenti Ahtisaari në disa pika themelore e shtroi idenë e tij lidhur me to si dhe dinamikën që ai e mendonte për të  përmbyllur procesin e bisedimeve në afat optimal. Ai i njihte zhvillimet në Kosovë e sidomos ato që i kishim përjetuar deri me intervenimin ndërkombëtar.

“Në takim shtrova qëllimet themelore që i kishim si vend dhe si popull, duke filluar nga realizimi i plotë i lirisë së Kosovës me pavarësinë, përkatësisht bërjen shtet i pavarur dhe sovran, si dhe zotimin tonë për ndërtimin e një Kosove të pavarur që do të jetë garant i respektimit të të drejtave dhe lirive të qytetarëve, pra edhe të pjesëtarëve të komuniteteve pakicë, në përputhje me standardet ndërkombëtare. Si dhe, orientimet tona themelore në politikën e jashtme, duke filluar nga fqinjësia e mirë me vendet përreth nesh, po edhe nevojën e integrimit si vend i pavarur në institucionet ndërkombëtare.

Sejdiu përmendi faktion se që në nëntor të vitit 2005 Delegacioni i Kosovës kishte miratuar Dokumentin për Martti Ahtisaarin, Emisarin Special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Statusin final të Kosovës. 

“Presidenti Ahtisaari, që në takimin e parë, përcolli me shumë vëmendje mendimet e mi”, shkruan ai.

“Pas përfundimit të takimit, e përcolla deri në dalje të ndërtesës së Kuvendit të Kosovës. Ai mu drejtua: “Jam i bindur se edhe ju do t’ia dilni...”.  Ishte kjo një mbështetje e madhe për popullin dhe vendin që kish hyrë dhe po bënte hapat final për pavarësinë”, shkruan pos tjerash Sejdi, duke i shprehur ngushëllime familjes, popullit finlandez, miqve, por edhe Kosovës.


MË SHUME NGA Lajme