Muja për zgjedhjet në veri: Vendimi u takon qytetarëve e jo Listës Serbe
Medina Pasoma / RTKlive
(E plotësuar) Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit është deklaruar deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Armend Muja. Zgjedhjet në veri kanë qenë një nga çështjet e shtruara në konferencë, për të cilat Muja tha se vendimmarrja u takon qytetarëve të asaj pjese dhe jo Listës Serbe, e cila fillimisht duhet të sqarohet për ngjarjet e 24 shtatorit.
“Ne si shumicë parlamentare e kemi bindjen që Qeveria i ka përmbushur të gjitha përkushtimet e Bratislavës. Parimisht jemi shumë të interesuar që çdo subjekt politik të marrë pjesë në zgjedhje sikurse qytetarët e vendit. Mirëpo, Lista Serbe është e fundit që mund të moralizojë këtë çështje. Sa i përket çështjes së inicimit dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor, Udhëzimi Administrativ është miratuar dhe u takon qytetarëve se nëse ata duan ta ndryshojnë kryetarin e komunës e jo një partie politike e cila ka shumë për të sqaruar nga ngjarjet e fundit”, ka thënë Muja.
Tutje ai ka thënë se gjatë sulmeve në veri është atakuar demokracia dhe sovraniteti i Kosovës, teksa ka kërkuar të bëhet ekstradimi i Radojiçiqit, bashkëpunëtorëve të tij dhe urdhëruesve në mënyrë specifike.
Muja ka pasur kritikë për partitë opozitare, duke thënë se ato përmes bllokimit të votimit të marrëveshjeve ndërkombëtare po pengojnë punën e pozitës.
“Besoj që e kemi marrë një mandat të plotë dhe të fuqishëm, e i cili duhet të ushtrohet deri në fund. Ajo që kemi parë vitet e fundit janë opsione nukleare, të cilat i zbaton opozita. Ta zëmë bllokimi i marrëveshjeve ndërkombëtare nuk përdoret sepse krijon një precedent të rrezikshëm. Pastaj, çdo përpjekje që e ka bërë shumica parlamentare, të cilën ia kemi premtuar popullit të Kosovës, ato e çojnë në Gjykatë Kushtetuese, që mandej të shtyhet dhe mandati të mos arrihet ashtu i plotë si e kemi premtuar”, është shprehur Muja.
Ai tutje ka thënë se Serbia i ka shkelur të gjitha pikat e marrëveshjes së 27 shkurtit. Sipas Mujës, Serbia ka vepruar kështu, pavarësisht se në marrëveshje specifikohet mos pengimi i anëtarësimit në organizata ndërkombëtare dhe liria e veprimit të vendeve.
“Në dhjetor Serbia ka kundërshtuar kandidaturën e Kosovës në BE, duke i bërë thirrje të gjitha vendeve të mos e pranojnë. Me 23 prill e ka kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. E treta ka të bëjë me sabotimin e zgjedhjeve në veri, është shkelur edhe marrëveshja e fundit. Sfidat e integritetit territorial dhe sigurisë së vendit ishte kulmi i kësaj”, ka thënë Muja.
Muja: Të enjten Kuvendi mban dy seanca
Deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Armend Muja, pas mbledhjes së sotme të Kryesisë së Kuvendit ka bërë të ditur se gjatë kësaj jave do të mbahen dy seanca plenare. Njëra seancë do të mbahet me kërkesë të opozitës, derisa tjetra do të jetë e rregullt, e ku do të hidhen në votim marrëveshjet ndërkombëtare.
“Të enjten do të jenë dy seanca. Një seancë me kërkesë të opozitës dhe një seancë e rregullt ku do të hidhen në votim marrëveshje ndërkombëtare. Ju e dini që kemi pasur vështirësi që këto marrëveshje të votohen. Sot na u tha zyrtarisht nga PDK-ja që arsyeja përse këto marrëveshje nuk i votojnë janë sanksionet ndërkombëtare. Kishim diskutim intensiv, por fer. Ne si deputetë me vullnetin politik kemi përgjegjësi. Opozita nuk ka shenja që ka heqë dorë nga pozicionimi që ka pasur dhe kjo e vështirëson mbarëvajtjen e punës së Kuvendit”, ka thënë Muja.
Hoxhaj: Nuk duhet ta kalojmë 24 shtatorin sikur s’ka ndodhur asgjë
Enver Hoxhaj nga Partia Demokratike e Kosovës ka përkujtuar kontributin e Martti Ahtisaarit me rastin e vdekjes së tij, duke e cilësuar si pjesë të historisë së Pavarësisë së Kosovës.
“Ahtisaari ka qenë ai që në vitin 99 e ka mbyllur kapitullin e robërisë, duke ndërmjetësuar me partnerët amerikanë e evropianë, duke ia dorëzuar Millosheviqit kushtet e kapitullimit”, ka thënë Hoxhaj pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit.
Ai tutja ka komentuar çështjen e bllokimit të marrëveshjeve ndërkombëtare, duke thënë se fokusi duhet të jetë te sanksionimi i Kosovës edhe pas sulmeve terroriste të grupeve serbe në veri.
“Qëndrimi jonë është që debati rreth marrëveshjeve ndërkombëtare nuk është debat doktrinar, por problemi është që nuk ta bëjë me atë se a votohen apo jo, por që Kosova është me sanksione. Qeveria duhet t’iu thotë qytetarëve se ky vend vazhdon të jetë me sanksione edhe pas 24 shtatorit”, ka thënë ai.
“Bashkimi Evropian po fshihet, përveç thirrjes që ka pasur nga Lajçaku dhe për atë se çka mendon për figurën e Ahtisaarit nuk thotë asgjë për atë se çka po ndodh në veri të vendit. Ne nuk duhet ta kalojmë 24 shtatorin si ngjarje sikur s’ka ndodhur asgjë, duhet ta përdorim si një momentum për të sjellë vetëdije të re politike. Duhet t’iu themi partnerëve tonë se pa njohje të ndërsjellë, pa qenë marrëveshja obligative ligjore dhe finale, ku Serbia ende ka opsionin ushtarak në tavolinë, nuk ka fare kuptim”, ka thënë Hoxhaj.
Tahiri: BE t’i vendosë sanksione Serbisë
Besnik Tahiri nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka thënë se Kosova është nën sanksionet e BE-së. Ka përmendur edhe mbajtjen e Samitit të Berlinit në Tiranë, duke thënë se është mirë që po mbahet në një vend shqiptar.
“Kosova është në bllokadë, BE po vazhdon me sanksionet e veta, e që mendoj që ato duhet të vendosen ndaj Serbisë për sulmin terrorist e 24 shtatorit”, ka thënë Tahiri.
Ai gjithashtu ka kujtuar kontributin e presidentit finlandez, Ahtisaari. “Kuvendi i Kosovës iu bashkua sot popullit të Finlandës dhe gjithë botës demokratike në respektin e mirënjohjen për presidentin Marttti Ahtisaari, i cili do të jetë përgjithmonë pjesë e historisë së Kosovës, si njeriu i cili hapi shpalljen e pavarësisë së Kosovës”, ka thënë Tahiri.























