Bregu: Katër profesione të reja do të njihen në gjithë rajonin
BKT
Shqipëri

Bregu: Katër profesione të reja do të njihen në gjithë rajonin

F.Sertolli / RTKlive

Krerët e Qeverive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor të hënën nënshkruan marrëveshjen e re, si pjesë e Tregut të Përbashkët Rajonal (CRM) – për njohjen e kualifikimeve profesionale të infermierëve, kirurgëve veterinere, farmacistëve dhe mamive, të koordinuar nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC)-në Samitin e Procesit të Berlinit, mbajtur në Tiranë.

“Përpjekjet e bashkërenduara që kemi bërë drejt njohjes reciproke të një grupi të ri profesionesh, (duke e çuar, sot, në 7 profesione), në përputhje të plotë me rregullat dhe standardet e BE-së, janë një biletë simbolike e hyrjes në tregun e përbashkët. Kjo mund të jetë një hap vendimtar drejt njohjes së kualifikimeve profesionale me BE-në. Sfida e radhës është zbatimi i tyre, e për këtë vendet duhet të nisin sa më shpejt procedurat që marrëveshja të hyjë menjëherë në fuqi”, tha Majlinda Bregu, Sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal. (RCC) në Samit.

Nënshkrimi i kësaj Marrëveshjeje, sipas Bregut, vjen një vit pas nga nënshkrimit në Samitin e Berlinit, të 3 marrëveshje të lëvizjes si pjesë të Tregut të Përbashkët Rajonal.

Ajo tha se deri më sot, për 3 marrëveshjet – ajo e lirinë e lëvizjes me letërnjoftim, për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë dhe për njohjen e kualifikimeve profesionale për doktorët e mjekësisë, stomatologët dhe arkitektët - vetëm 4 nga 6 ekonomitë e BP-së kanë përfunduar procedurat e brendshme të ratifikimit.

“Ky samit zhvillohet në një kontekst global dhe rajonal të rrethuar me tensione të forta, të cilat na tronditin dhe na përulin deri në palcë. Në një kontekst të tillë, rajoni ynë ka shumë nevojë për disa lajme pozitive, siç është nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje, por edhe ulja e tarifave të roaming-ut ndërmjet BE-së dhe BP-së, që kanë hyrë në fuqi nga ky tetor, pas gati një viti nga nënshkrimi i Deklaratës për Roaming BE-BP e lehtësuar nga RCC dhe Komisioni Evropian”, shtoi Bregu.

Pjesëmarrësit e Samitit mirëpritën hyrjen në fuqi të tarifave të reduktuara të përdorimit të internetit në roaming midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor dhe përgëzuan RCC-në për rolin e saj koordinues në zbatimin e CRM-së. Ata theksuan rëndësinë e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor duke theksuar rëndësinë e forcimit të ndërlidhjes, transportit, tregtisë, energjisë dhe ndërlidhja digjitale në rajon, por edhe midis rajonit dhe BE-së. Liderët theksuan se është e nevojshme çuarja më tej i zbatimit të Tregut të Përbashkët Rajonal, duke u bërë thirrje RCC, CEFTA dhe organizatave të tjera rajonale që të fillojnë të hartojnë fazën tjetër.

“Ne kemi përveshur mëngët për përgatitjen e vizionit të ri për Tregun e Përbashkët Rajonal 2.0, e cila do të synojë intensifikimin e integrimit ndërmjet BP por edhe të BP në Tregun Unik Evropian. BP nuk mund të integrohet në BE pa një mbështetje dhe shtysë më të madhe, sidomos në investime, për përmbushjen e tranzicionit të agjendës të gjelbër dhe mbrojtjes dhe vlerësimit të bukurive dhe potencialeve të natyrës sonë. Në këtë kontekst global e rajonal, gjetja e kësaj vije të mesme, duket sfiduese. Megjithatë, diskutimet e ringjallura së fundmi, për përfundimin e “Bashkimit” , një proces zgjerimi  që do sjellë një të ardhme të përbashkët Evropiane, është një ogur i mirë. Një Evropë me në qendër njeriun, e përshtatur, e reformuar, dhe me rajonin tonë të rreshtuar përkrah saj – është investimi më i mirë për paqen dhe sigurinë për të gjithë kontinentin dhe më gjerë. RCC, mbetet plotësisht e përkushtuar për të vazhduar punën, për të përgatitur rajonin për të qenë pjesë e BE, si dhe për çdo zhvillim pozitiv që vjen si pjesë e bashkëpunimit rajonal”, përfundoi Bregu.

Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje të re të lëvizshmërisë hiqet edhe një pengesë për qarkullimin e lirë të fuqisë punëtore dhe tashmë 7 profesione mund të kenë njohje automatike të kualifikimeve: Doktorë të Mjekësisë, Stomatologë dhe Arkitektë, infermierë, kirurgë veterinerë, farmacistë dhe mami – duke përmirësuar aksesin në tregun e punës dhe rritur produktivitetin. Marrëveshja e nënshkruar nga krerët e BP sot në Tiranë do pas ratifikimet nga secili prej vendeve të BB6, hyn në fuqi në ditën e tridhjetë pas depozitimit të njoftimit të tretë zyrtar të ratifikimit.

Ndërkaq, Gjermania do të mirëpresë, vitin e ardhshëm Samitin e Liderëve në 2024, që përkon me 10 vjetorin e Procesit të Berlinit.


MË SHUME NGA Shqipëri