Begaj e Milanoviq: Të rritet presionin për hetimet e sulmit terrorist
Sh.Ç /RTKlive
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj dhe ai i Kroacisë, Zoran Milanoviq, e kanë dënuar sulmin e armatosur nga terroristët serbë në Banjskë muajin e kaluar.
Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, në një konferencë për media në Tiranë krah presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, ka thënë se Serbia dhe presidenti serb Vuçiq i detyrohen Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare disa përgjigje lidhur me rastin dhe reagimin e tyre për të.
“Një incident shumë serioz. Serbia dhe presidenti Vuçiq na kanë borxh një përgjigje. Mbaj qëndrimit që kisha më herët, për sanksione. Nuk ka sanksione që do të ishin frytdhënëse. Ato sanksione ndoshta u ndihmojnë atyre që janë në pushtet. Këtë e kam thënë edhe në fillimin e luftës në Ukrainë, e kam thënë këtë edhe për Serbinë. Por ajo që dua të them është se ai duhet të jetë në presion të bashkëbiseduesve për të na dhënë gjëra të qarta dhe ndaj kërkoj edhe pak durim dhe besoj që këto vendime më vonë nuk do t’i marrë Kroacia, por të tjerë”, theksoi ai.
President i Kroacisë, Zoran Milanoviq, ka thënë se shtetet e Bashkimit Evropian po tregohen të pasinqerta në raport me Kosovën.
Milanoviq ka deklaruar se është i vetmi joshqiptar që po kërkon që Kosova të njihej si shtet, pasi siç thotë ai, vendet evropiane nuk e përmendin.
“Fakt është që jam ndër të vetmit që nuk jam shqiptar, dhe kam bërë thirrjen në New York për ta pranuar Kosovën. Kjo është tema për të cilën foli edhe zoti president. Këtë fakt e di e gjithë Evropa, por nuk do ta përmendi. Kjo nuk është shumë e mirë dhe e sinqertë. Kjo është e padobishme e madje e dëmshme për ne. Kemi 12 vjet që dëgjojmë argumente të njëjta e ndërsa koha kalon, pengesat bëhen më të vështira. Shuma pak gjëra po bëhen”, ka thënë ai.
Ndërse, presidenti Begaj, e ka falënderuar homologun kroat për mbështetjen e dhënë Kosovës dhe dënimin e sulmit të armatosur në veri të saj.
Begaj i ka shprehur shqetësimet e tij Milanoviq për përgatitjen dhe armatimin e rëndë ushtarak të përdorur nga grupi terrorist, ndërsa ka nënvizuar nevojën e rritjes së presionit nga ana e Bashkimit Evropian për përfundimin e hetimeve dhe nxjerrjen e përgjegjësive.
“Nënvizova se pas aktit të Hamasit ndaj izraelit bëhet e domosdoshme që BE dhe NATO të dekurajojnë qasjen provokative të Serbisë ndaj Kosovës. E vlerësova mbështetjen që Kroacia i jep Kosovës. Që prej sulmit të 2 shtatorit gjërat nuk janë më si më parë, dhe negociatorët duhet të kenë një qasje te re të dialogut”, është shprehur Begaj.























