Fushata kundër trafikimit, Murati: Fokus, ngritja e vetëdijes së qytetarëve
Emine Hoti/ RTKlive
Ministria e Punëve të Brendshme ka lansuar Fushatën e Vetëdijesimit Kundër Trafikimit me Njerëz. Riza Murati, nga Policia e Kosovës deklaroi se fushata ka filluar sot, në Ditën e Bashkimit Evropian Kundër Trafikimit me Njerëz.
Murati tha se fokusi kryesor i fushatës është të ngritët vetëdija e qytetarëve, të sensibilizohet opinioni në përgjithësi për të reaguar dhe për ta parandaluar trafikimin, një dukuri që e ka prekur edhe vendin tonë.
“Sot kemi filluar një kampanjë.Kampanja nuk nënkupton se do të jetë vetëm 30 ditë sa është përcaktuar të jetë me intensitet më të lart, por aktivitetet do të vazhdojnë gjatë tërë vitit”, tha Murati në Info Plus”, në RTK.
Ai theksoi se trafikimi është një prej shkeljeve më të rënda të të drejtave të njeriut dhe se më të cenueshëm janë fëmijët nën moshën 19 vjeçare.
“Statistikat tregojnë se kemi një rënie, megjithatë trafikimi prapë është prezent.Për një vit janë identifikuar 18 viktima të trafikimit me njerëz”, deklaroi Murati.
Ai sqaroi se kanë trajtuar edhe raste tjera të cilat ishin në rrezik për tu trafikuar, por zyrtarisht kanë rezultuar të jenë 18 viktima të trafikimit.
Murati tutje, tha se format më të shpeshta të shfrytëzimit të viktimave janë detyrimi në prostitucion, forma e shfrytëzimit seksual, duke mos përjashtuar edhe kërkim lëmoshën, apo edhe punën e detyruar.
“Këto janë tri prej formave më të theksuara me të cilat ballafaqohemi sot, ndërkaq kur flasim për fëmijë, diku rreth 60 për qind e viktimave të identifikuara janë nën moshën 18-vjeç”, deklaroi Murati.
Tutje, ai sqaroi se hapja e fushatës është bërë në shkollën e mesme “Xhevdet Doda”, në Prishtinë, ku së bashku me nxënës, arsimtarë dhe drejtues të shkollës shpjeguan në mënyrë të detajuar për pasojat që sjellë trafikimi me njerëz.
Fushata këtë vit është emërtuar “Mos hesht”, dhe janë përgatitur aktivitete me karakter vetëdijësues dhe parandalues.























