Komercialja i reagon Ramës: Gjyqtarët duhet të lihen të punojnë të pavarur
BKT
Në Fokus

Komercialja i reagon Ramës: Gjyqtarët duhet të lihen të punojnë të pavarur

Sh.Ç /RTKlive

(E plotësuar) Gjykata Komerciale është shprehur e shqetësuar pas deklaratave të pushtetit komunal në Prishtinë, lidhur me vendimin e kësaj gjykate për t’i pezulluar punimet e “Rrugës A”.

Gjykata Komerciale në një reagim publik në Facebook ka kërkuar që të ndërtohet kulturë e respektimit të vendimeve gjyqësore dhe të lihen gjyqtarët të punojnë në mënyrë të pavarur.

 “Gjykata Komerciale e Kosovës, shpreh shqetësimin e saj lidhur me deklarimet e zyrtarëve shtetëror, lidhur me rastin e marrjes së vendimit për caktimin e masës së sigurisë, përkatësisht shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të OshP-së në rastin ‘Rruga A’, e cila është në procedurë pranë Dhomës së Shkallës së Parë të Gjykatës Komerciale. Përmbajtja dhe retorika e mediave, si dhe deklaratat e politikanëve, mund të kenë ndikim të madh në opinionin publik dhe besimin në institucionet gjyqësore. Andaj, është e rëndësishme që të ndërtohet një kulturë e respektimit të vendimeve gjyqësore dhe të kujdesemi për të mos paragjykuar ato, duke lënë gjyqtarët të punojnë në mënyrë të pavarur dhe të bazuar në ligj dhe fakte”, thuhet në reagim.

Gjykata ua ka kujtuar palëve që kanë të drejtë të ankohen në vendimin e parë dhe se çështja s’duhet të paragjykohet pa marrë epilog përfundimtar.

LVV: Vendimi i Komerciales, pasojë e qasjes anti-ligjore të komunës

Gjykata Komerciale ka vendosur që të ndalë punimet në “Rrugën A”, që qeverisja e Përparim Ramës e ka cilësuar si më të rëndësishmin deri tash. Për këtë vendim ka reaguar kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili ka thënë se ky vendim është i bazuar në interesa politike e grupe interesi. Sipas tij, vendimi është marrë nga motra e deputetes së Vetëvendosjes, Fitore Pacolli.

Sipas Vetëvendosjes, vendimi i Gjykatës Komerciale është pasojë e qasjes së vazhdueshme anti-institucionale dhe anti-ligjore të ekzekutivit të Komunës së Prishtinës.

“Kujtojmë që edhe disa rrugë të tjera të qytetit, si shkak i vendimeve të jashtligjshme të Kryetarit Rama, janë nën masën e sigurisë së gjykatave. Gjithashtu është inicuar kontest gjyqesor nga MAPL ndaj Komunes së Prishtinës për moszbatim të vlerësimeve ligjore siç parashihet me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale dhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Gjithandej nëpër matjet e të gjitha organizatave, Komuna e Prishtinës prinë për vendime e veprime të paligjshme”, thuhet në reagim.

Ky subjekt politike thotë se është për çdo kritikë dhe për t’u dënuar reagimi i kryetarit të Prishtinës në lidhje me këtë çështje.

“Etiketimi i gjyqtares së rastit dhe deklarimi se vendimi është politik e ka për qëllim bllokimin e projekteve në Prishtinë, është tendencë e Përparim Ramës për ta mbuluar dështimin e vet të pashmangshëm dhe tashmë evident. Shpresojmë në trajtim të shpejt dhe të drejtë të çështjes meritore të rastit nga ana e Gjykatës Komerciale, në mënyrë që “Rruga A”, si një projekt jetik i banorëve të asaj zone dhe i rëndësisë së veçantë për Kryeqytetin, të finalizohet dhe të jetë në shërbim të qytetarëve. I gëzohemi dhe mbështesim çdo projekt që bëhet në Prishtinë e për Prishtinën, natyrisht gjithmonë duke respektuar rregullat dhe procedurat ligjore”, theksohet në reagim.

Komercialja ndalon punimet në “Rrugën A”, Rama akuzon për vendim politik

Gjykata Komerciale ka vendosur që të ndalë punimet në “Rrugën A”, që qeverisja e Përparim Ramës e ka cilësuar si më të rëndësishmin deri tash. Për këtë vendim ka reaguar kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili ka thënë se ky vendim është i bazuar në interesa politike e grupe interesi. Sipas tij, vendimi është marrë nga motra e deputetes së Vetëvendosjes, Fitore Pacolli.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka thënë se nuk i komenton vendimet e gjyqësorit, por ka kërkuar nga Organi Shqyrtues i Prokurimit që të ankohet ndaj vendimit.

Rama në Facebook, ka shkruar se për vendimin e shkallës e parë të Gjykatës Komerciale, është njoftuar nga mediat.

“Shkalla e parë e Gjykatës Komerciale, paska marrë vendim në bazë të të cilit ka atakuar rëndë interesin publik të qytetarëve të Prishtinës, duke i ndaluar punimet në projektin më strategjik të Kryeqytetit dhe momentalisht të Kosovës, ‘Rrugën A’ (Jim Xhema). Vendimi i sotëm, i bazuar plotësisht në interesa politike dhe të grupeve të interesit, të cilat me çdo kusht po përpiqen ta bllokojnë transformimin e Prishtinës, është marrë nga, hiç më pak sesa motra e deputetes së VV-së Fitore Pacolli, gjyqtarja Vlora Pacolli. Megjithëse nuk jam i prirur që të komentoj vendimet e gjyqësorit, në rastin konkret, nuk ka asnjë logjikë të vendoset masë e përkohshme në kundërshtim me interesin publik dhe ndaj një projekti që ndërlidhet edhe me mbrojtjen e jetës e shëndetit të mijëra qytetarëve të lagjes “Mati”, “Kalabria” dhe “Prishtina e Re”, të cilët me vite të tëra po vuajnë nga kundërmimi për shkak të mungesës së kolektorit. Andaj, shpresoj se Dhomat e Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale nuk do të lejojnë cenimin e interesit publik për interesa të ngushta dhe inate politike”, ka shkruar Rama në Facebook.

Po ashtu, Rama ka kërkuar nga Këshilli Gjyqësor që të sigurojë që ky proces të jetë i drejtë, profesional, i paanshëm, dhe i bazuar vetëm në ligj.


MË SHUME NGA Në Fokus