21:33 / 20.10.2023
Haxhiu: I papranueshëm lirimi i Dejan Pantiqit
Sh.Ç /RTKlive
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e ka cilësuar të papranueshëm lirimin me dorëzani të Dejan Pantiqit, të dyshuarit për terrorizëm. Ajo përmes një postimi në Facebook i ka bërë thirrje Këshillit Gjyqësor të Kosovës, t’i trajtojë këto raste.
“Të gjithë kriminelët të cilët sulmuan policinë dhe cenuan rendin kushtetues, Gjykata i ka liruar me dorëzani! Si ka nisur kështu, nuk është larg mendsh nëse edhe terroristët e sulmit terrorist të 24 shtatorit t’i lirojnë me dorëzani. Kjo veç drejtësi nuk është! E papranueshme. I bëj thirrje Këshillit Gjyqësor të Kosovës, t’i trajtojë këto raste dhe të mos lejojë keqpërdorimin e dorëzanisë”, ka shkruar ajo në Facebook.























