Konjufca takon Kearns: Mora konfirmimin për mbështetje të fuqishme
E. Hoti / RTKlive
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka takuar deputeten dhe kryetaren e Komisionit për Punë të jashtme në Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar, Alicia Kearns. Konjufca tha se ka marrë konfirmimin se mbështetja e Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën do të vijojë të jetë e fuqishme.
Konjufca ka njoftuar se deputetes Kearns i ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen e saj të madhe dhe të vendit të saj.
”I urova mirëseardhje në Kosovë, duke e falënderuar për vizitën e saj që vjen si afirmim i bashkëpunimit të ngushtë mes dy vendeve tona mike dhe aleate, në një partneritet ku përputhen në plotni linjat e veprimit, interesat dhe qëllimet e synuara. Po ashtu, znj. Kearns i shpreha mirënjohjen time dhe të vendit tonë për mbështetjen e saj të madhe dhe të vendit të saj që na ka qëndruar në krah në kohët më të vështira dhe në ato më të mirat”, ka shkruar Konjufca në Facebook.
Kryeparlamentari po ashtu ka thënë, se në këtë takim kanë biseduar edhe për ngjarjet e fundit të Banjskës, ku edhe ka marrë konfirmimin se mbështetja e Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën do të vijojë të jetë e fuqishme.
“Aktet e agresionit nga Serbia përmes grupeve terroriste nuk janë kërcënim vetëm për Republikën e Kosovës, por vendosin në pikëpyetje stabilitetin e të gjithë rajonit. Qëndrimi i prerë sot në emër të vlerave të demokracisë është sigurimi i paqes dhe përparimit të nesërm” ka shkruar ai.
Ai ka ritheksuar se prania e Mbretërisë së Bashkuar në Republikën e Kosovës si dhe në rajon është e një peshe të pazëvendësueshme për sigurinë, stabilitetin dhe përbën garanci ekuilibruese në dinamikat e aktualitetit të brishtë, siç edhe për një të ardhme me vizion të gjerë.
“Raportet mes dy vendeve tona janë shembullore dhe ne u pajtuam se forcimi i këtij bashkëpunimi në çdo fushë mbetet prioritet, ndërsa angazhimi ynë për këtë vazhdon të jetë i palëkundur”, ka shkruar më tej Konjufca.























