Gërvalla: Bajraktari nuk është larguar, është fuqizuar me emision në RTK-TV
BKT
Lajme

Gërvalla: Bajraktari nuk është larguar, është fuqizuar me emision në RTK-TV

E.H/RTKlive

Drejtori i Televizionit të Kosovës, Rilind Gërvalla ka deklaruar se emisioni i gazetares së Radio Kosovës, Behare Bajraktari nuk është larguar nga skema programore e RTK-së, përkundrazi ai është fuqizuar dhe i është dhënë rëndësia që i takon.

Gërvalla ka thënë se pas rekomandimit të Bordit që të përforcohet dhe zhvillohet një emision rreth mjedisit dhe gazetarisë së gjelbër në përgjithësi, emisioni i gazetares Behare Bajraktari, është propozuar të kalojë në ekranin televiziv.

“Për shkak të pyetjeve të shumta nga gazetarët, si drejtues i RTK-TV-së, dhe duke mos dashur asnjëherë të ndërhyj në pavarësinë editoriale e menaxhuese të RTK-Radios, sepse kështu funksionon hierarkia në RTK, ju njoftoj se pas rekomandimit të Bordit që të përforcohet dhe zhvillohet një emision rreth mjedisit dhe gazetarisë së gjelbër në përgjithësi, emisioni i gazetares Behare Bajraktari, është propozuar të kalojë në ekranin televiziv. Para propozimit për ta përfshirë në skemë kam zhvilluar një takim me gazetaren”, ka shkruar Gërvalla në Facebook.

Kështu, sipas skemës së re të aprovuar nga Bordi i RTK-së me datë 16 tetor 2023, Gërvalla ka thënë se emisioni në fjalë nuk është larguar, nga skema programore e RTK-së, përkundrazi është fuqizuar dhe i është dhënë rëndësia që i takon.

“Duke pasur për bazë rëndësinë e gazetarisë së gjelbër, ide kjo e strategjisë sime të prezantuar edhe gjatë konkurrimit tim të parë, pra ruajtjes së ambientit dhe çështjeve të tjera të ndërlidhura me ambientin, gjatë tri mbledhjeve të kaluara të bordit është diskutuar mënyra më e mirë e trajtimit të këtyre temave në RTK.

Si rrjedhojë, është vendosur që emisioni në fjalë të fillojë të transmetohet në një format tjetër, në ekranin televiziv në RTK1, në ‘Prime Time” , në kohën më të vlefshme televizive, çdo të enjte nga ora 20:20, ku duhet trajtuar agjenda e gjelbër. I njëjti, kam udhëzuar se do të mund të transmetohet edhe në Radio”, ka shkruar ai.

Në këtë formë, Gërvalla ka thënë se emisioni në fjalë konsiderohet se është fuqizuar, promovuar dhe konceptuar për një audiencë shumë më të gjerë, rreth një tematike me rëndësi të veçantë, siç është mjedisi.

Ai ka sqaruar se procedura për transferin formal nga Radio në TV, ka filluar para tri ditësh. “Redaksia e Gjelbër, RTK-ja ambientaliste do të vëjë themelet shumë shpejt!”, ka shkruar ai.


MË SHUME NGA Lajme