Turqi–Shqipëri, konsultime politike për zhvillimet në rajon dhe BE
RTSH
Turqia dhe Shqipëria do të mbajnë të martën takime konsultative për aspekte të ndryshme të sigurisë dhe zhvillimeve politike në rajon dhe BE.
Ministria e Jashtme turke njoftoi se takimi në Ankara do të zhvillohet në nivel zëvendësministrash.
Shqipëria do të përfaqësohet me zv.ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme, Megi Fino, ndërsa nga pala turke do të jetë homologu Kemal Bozaj (o. Bozay), i cili drejton edhe Çështjet e BE-së për Turqinë.
"Do të diskutojmë për të gjitha aspektet e marrëdhënieve dypalëshe Turqi–Shqipëri, zhvillimet aktuale në rajonin tonë si dhe proceset e aderimit në BE të dy vendeve tona kandidate," thuhet në njoftimin për shtyp të diplomacisë turke.
Shqipëria dhe Turqia firmosën në vitin 2021 një marrëveshje për të forcuar raporte shtetërore në shkallën e partneritetit strategjik.
Tirana zyrtare ruan lidhjet historike me Ankaranë dhe mes dy vendeve ka bashkëpunim të mirë ekonomik, duke qenë se në Shqipëri veprojnë rreth 30 kompani turke me investime që arrijnë rreth 3 miliardë dollarë.























