Osmani në KS të OKB-së: Kosova është e përcaktuar për dialog
BKT
Në Fokus

Osmani në KS të OKB-së: Kosova është e përcaktuar për dialog

M.M./RTKlive

(E plotësuar) Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, reagoi ndaj fjalimit të përfaqësuesit rus në KS të OKB-së, duke thënë se Rusia përsëri e përdori propagandën kundër atyre që luftuan për lirinë e Kosovës.

Ajo shtoi se dallimi mes Kosovë dhe Serbisë është që Kosova nuk frikësohet nga drejtësia.

Presidentja Osmani, lidhur me këtë, theksoi se për këtë arsye është krijuar edhe DHSK-ja, ngase “nuk duam të krijohet barazia në mes atyre që  kanë bërë gjenocid dhe atyre që janë mbrojtur nga gjenocidi”.

“Jemi të bindur se drejtësia do të mbisundojë”, deklaroi Osmani.

Ajo më tej tha se njerëzit e Kosovës kanë përjetuar krimin më të madh humanitar, derisa uroi që kjo mos t’i ndodhë askujt.

“Keni dëgjuar përfaqësuesin rus dhe Bërnabiq duke folur por të ashtuquajturin ‘terrorin Kurti’. Kurti është kryeministër i Kosovës dhe ishte i burgosur i luftës, i torturuar deri në vdekje në burgjet e tyre, ndërsa në atë kohë presidenti i Serbisë, ishte ministër i Propagandës në regjimin e Millosheviqit”, vuri në dukje presidentja Osmani.

Ajo më tej shtoi se Kosova është e përcaktuar për dialog, të ndërmjetësuar nga BE, ku, në njërën anë keni ish-ministrin e Propagandës së regjimit të Millosheviqit e në anën tjetër, një të burgosur politik.

Osmani: Kosova më 24 shtator ishte cak i një akti të agresionit nga Serbia

Fjalimin në KS të OKB-së, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e filloi me të mbijetuarit e luftës në Kosovë, sidomos për viktimat e mijërave të dhunuarve gjatë luftës.

Viktimat e dhunës seksuale, sipas saj, zgjodhën jo vetëm të mbijetojnë, por edhe të përpiqen të jetojnë. Kjo është historia e Kosovës.

Ajo iu drejtua KS të OKB-së si një presidente e një vendi që ka humbur 13000 njerëz gjatë luftës në Kosovë, shumë të zhdukur dhe me vrasjen e fëmijëve që, në kokë banori, është më së shumti në çdo luftë në ish-Jugosllavi.

“Ne jemi ngritur nga zeroja për të ndërtuar jetën tonë, për ta ndërtuar një të ardhme, ku të gjithë njerëzit, pavarësisht etninë e tyre, mund të jetojnë pa frikë, pa diskriminim", tha ajo.

Presidentja më tej shprehu zotimin e shtetit të Kosovës për të ecur përpara e jo për të shkuar prapa.

“Jam këtu për të rikonfirmuar se të gjitha institucionet e Kosovës nuk e lejojnë ecjen prapa për lirinë e mundimshme që kemi fituar bashkë me demokracitë nga mbarë bota, sepse Republika e pavarur e sovrane e Kosovës është storja më e suksesshme në historinë e njerëzimit”, deklaroi presidentja Osmani.

Osmani: Serbia ka dashur ta shohë Kosovën sikur Krimenë

Presidentja Osmani më tutje foli për sulmin e grupit terrorist e paramilitar serbë të mbështetur nga Serbia, në Banjskë të Zveçanit, ku u vra pjesëtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

“Atë ditë Republika e Kosovës ishte cak i një akti të agresionit nga Serbia, i grupeve terroriste e paramilitare”, deklaroi presidentja Osmani.

Presidentja më tej shtoi se pas ngjarjes së 24 shtatorit çdo gjë ka ndryshuar, duke shtuar se zotimi i Kosovës për ta mbrojtur sovranitetin dhe sundimin e ligjit është i palëkundshëm.

Osmani mes tjerash tha se ajo që Serbia priste më 24 shtatori, ishte që Kosova të bëhej si Krime, por u zunë në befasi nga përgjigja e Policisë së Kosovës.

Presidentja Osmani, ndër të tjera, tha se Kosova dallohet për luftën ndaj korrupsionit, për lirinë e medieve, liritë politike dhe të të drejtave civile, por edhe për zgjedhjet demokratike.

“Është e qartë organizatat ndërkombëtare e paraqesin të vërtetën e jo propaganda që sapo dëgjuat nga Serbia sot”, tha presidentja Osmani.

Ajo më tej shtoi se si shtet me demokraci më të re në rajon, Kosova ka përqafuar rrugëtimin e vet shtet-ndërtues me një dedikim të papërsëritshëm me një demokraci gjithëpërfshirëse.

“E kuptojmë plotësisht vlerën e demokracisë dhe pavarësisë sonë dhe jemi fuqimisht krenarë për gjithë rrugëtimin tonë shtet-ndërtues, rrugëtim i vendosmërisë dhe e sakrificës”, tha presidentja Osmani.

Ambasadori i Shqipërisë në OKB përkujtoi krimet e Serbisë në Kosovë

Ambasadori i Shqipërisë në OKB, Ferit Hoxha, fjalimin e tij e nisi me, siç tha ai, lajme të mira përtej horizontit të errët, duke përmendur lirinë e lëvizjes së popullit të Kosovës në zonën Shengen.

“Liberalizmi i vizave, një proces tejet i pritur e i zgjatur janë vërtetuar që kanë fuqi transformuese kudo që janë aplikuar dhe kjo është pjesë e përafrimit me t drejtat e liritë njerëzore me të cilat Kosova ka funksionuar

Duke vënë n ë pah dallimet në diskutime nga disa folës në KS të OKB-së, ambasadori i Shqipërisë tha se duhet vënë ngjarjet në kontekstin e duhur

Ai përkujtoi të kaluarën e vrazhdë në të kaluarën në mes të Kosovës e Serbisë.

“Ndarja e Kosovës me Serbinë ka kaluar më të keqen: krime lufte, krime ndaj njerëzimit vrasja e civilëve, varreza masive që vazhdojnë të zbulohen edhe sot, përdhunime masive që nuk mund të harrohen”, deklaroi ambasadori, derisa shtoi se ka qenë e nevojshme intervenimi ndërkombëtarë për të ndalur këto vrasje.

Ai mohoi saktësinë e fjalës së kryeministres së Serbisë, lidhur me raportet që ajo i përmendi në fjalimin e saj më parë, lidhur me Kosovën,

“Asnjë nuk ndodhin në raportin e Sekretares së Përgjithshme, as në raportin e OSBE-së, as në raportin e EULEX-it”, tha ambasadori i Shqipërisë.

SHBA dënon sulmin e 24 shtatorit në veri të Kosovës

Qeveri e SHBA-së dënon sulmin e 24 shtatorit, që për pasojë pati vrasjen e një polici të Policisë së Kosovës.

“Sulmi i 24 shtatorit ishte një akt që vuri në rrezik jetën e qytetarëve të Kosovës”, deklaroi ambasadori i SHBA-së në OKB, Robert Wood, teksa shtoi se duhet të ketë përgjegjësi të plotë në pajtim me sundimin e ligjit për autorët e krimit.

“Individët që janë në vendet tjera duhet të ekstradohen në Kosovë”, tha përfaqësuesi i SHBA-së.

Ai më tej shtoi se SHBA është duke punuar ngushtë me BE-në dhe NATO-n për shtensionimin e situatës në Kosovë, duke kërkuar nga palët në dialog që të përmbahen nga veprimet e  njëanshme, si dhe të vazhdojnë dialogun me hapa konkret.

“SHBA vazhdon ta mbështesë dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja si rruga më e mirë për pajtimin mes Kosovës dhe Serbisë”, deklaroi përfaqësuesi i SHBA-së.

Ai mes tjerash tha se çmojnë veprimin e Policisë së Kosovës për ngjarjen e 24 shtatorit, e cila kishte vepruar në bashkëpunim me EULEX-in dhe KFOR-in.

Ziadeh: S’ka zhvillim të qëndrueshëm pa paqe e as paqe pa zhvillim të qëndrueshëm

Fjalën e para e mori shefja e misionit të tejkaluar të UNMIK-ut në Kosovë, Caroline Ziadeh, e cila tha se situata në veri të Kosovës është serioze, sidomos pas sulmit në Bansjkë të Zveçanit, më 24 shtator.

Ajo mes tjerash tha se pati shkëmbime zjarri mes Policisë së Kosovës dhe grupit të armatosur, ku për pasojë u vranë katër veta, një pjesëtar i Policisë së Kosovës dhe tre të tjerë.

Sipas saj, gjendja e sigurisë në veri të Kosovës që nga 24 shtatori është ngritur në mënyrë të qëndrueshme.

Masat de-eskaluese, sipas saj, janë kritike për të ulur tensionet dhe në këtë drejtim, derisa shfaqi shpresën se me ndërmjetësimin e faktorëve ndërkombëtarë dialogu do të marrë rrugëtimin të drejt.

“Nuk ka zhvillim të qëndrueshëm pa paqe dhe nuk ka paqe pa zhvillim të qëndrueshëm”, deklaroi ajo, derisa shtoi se bashkëpunimi rajonal dhe iniciativa të integrimit në të gjitha reformat duhet të jenë të mirëpritura.

Bërnabiq kërkon mbajtjen e zgjedhjeve në katër komuna, në veri të Kosovës

Kurse kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, në KS të OKB-së tha se situata në Kosovë është mjaftë e rëndë, sidomos në dy vjetët e fundit.

Ajo vuri theksin në vitin e fundit ku, sikundër u shpreh ajo, "situata është bërë aq e rëndë sa duhet bërë përpjekje për ta kuptuar jo vetëm si politikanë, por si qenie njerëzore".

“Ku të shkojmë nga këtu, së paku për të siguruar një grimë shprese për ata që jetojnë në Kosovë, së paku një grimë shprese që stabiliteti e paqja afatgjate janë në fakt të mundshme”, deklaroi Bërnabiq.

Ajo më tutje foli për kthimin e serbëve në Kosovë, që, sipas saj, janë kthyer më pak se 2 për qind  të serbëve.

Bërnabiq kërkoi që të zbatohet marrëveshja për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, deri sa mohoi për ndërlidhjen e ngjarjes së Banjskës me qeverinë serbe.

Ajo, kërkoi të mbahen zgjedhjen në katër komunat në veri të Kosovës sa më parë që është e mundur.

Nis takimi i KS i OKB-së, Osmani përfaqëson Kosovën

Nisi takimi i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Kosovën. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përfaqëson Republikën e Kosovës në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, lidhur me raportimin periodik për zhvillimet në Kosovë.

Në këtë takim të Këshillit të Sigurimit, presidentja Osmani flet për zhvillimet politike dhe të sigurisë në Kosovë, pas sulmit terrorist dhe aktit të agresionit të Serbisë ndaj Kosovës, më 24 shtator, njofton Presidenca.

Bëhet e ditur se Osmani do të flasë edhe për përkushtimin e institucioneve të Republikës për paqe, siguri dhe stabilitet afatgjatë në rajon, si dhe për bashkëpunimin e ngushtë me aleatë e partnerë të Kosovës.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, sonte, do të diskutojë raportin e ri gjashtëmujor për situatën në Kosovë. Raporti përfshinë periudhën nga 19 marsi deri më 18 shtator 2023.

 

 


MË SHUME NGA Në Fokus