Indeksi për pozitën e gruas, analistet:Nuk është keq të jesh grua në Kosovë
BKT
Lajme

Indeksi për pozitën e gruas, analistet:Nuk është keq të jesh grua në Kosovë

M.M./RTKlive

Indeksi për gratë paqen dhe sigurinë për vitin 2023 e ka renditur Kosovën në vendin e dytë më të keq në Evropë për të jetuar si grua. Ky indeks është krijuar nga Instituti i Oslos për Kërkime Paqeje. Ky rezultat i ulët i Kosovës i atribuohet rezultateve të dobëta të arsimimit dhe punësimit për gratë dhe niveleve të larta të vdekshmërisë së grave gjatë lindjes.

Për të diskutuar për këto të gjetura dhe sa janë reale, janë ftuar Edi Gucia, kryeshefe në Agjencinë për Barazi Gjinore në ZKM, Fehmije Gashi- Bytyqi, avokate, si dhe Mirishahe Syla, aktiviste.

Edi Gucia,përfaqësuese e Agjencisë për Barazi Gjinore në ZKM, lidhur me raportin e publikuar tha se, megjithatë, nuk është keq të jesh grua në Kosovë, ngase, tha ajo, edhe hulumtimet  ndërkombëtare nuk  duhet të nxirren nga konteksti, derisa sqaroi se Kosova në këtë hulumtim është hyrë në mesin e shteteve post-konflikt, ose të shteteve me demokraci të ndjeshme.

“Konteksti historik reflekton se si hartohet ky hulumtim, sepse ky hulumtim ka të bëjë me gratë në paqe dhe siguri”, deklaroi Gucia në “Info Plus”, RTK.

Ajo më tej sqaroi kriteret e hulumtimit, duke vënë në dukje atë që ka të bëjë me luftën e që, potencoi ajo, vendi ynë para gati një muaji, ishte gati në prag të konfliktit të armatosur me Serbinë.

“Pikërisht kjo dëshmon arsyen pse jemi vend me demokraci të brishtë”, tha Gucia.

Ajo u shpreh kritike në aspektin e qasjes së gruas në vendimmarrje, në sferën politike, publike, në drejtësi, etj., por që vuri në dukje edhe faktin tjetër që Kosova ka dhënë shembull me dy gra presidente.

Ndërkaq, Mirishahe Syla tha se raporti i dalë së fundmi për pozitën e gruas, ka qenë befasues, ngase, sikurse Gucia, ashtu edhe Syla, u shpreh se nuk është keq të jesh grua në Kosovë, por që, shtoi ajo, varet se kush është pyetur.

Ajo përmendi gratë që janë viktima të dhunës në familje, që për një shtresë të tillë është vërtetë e rëndë të jesh grua në Kosovë.

Syla përmendi edhe gratë në qaje publike dhe në drejtësi, që po u bëhen padrejtësi. Veç kësaj, ajo përmendi edhe gratë në viset rurale, që bëjnë një jetë të rëndë, por edhe gratë e komuniteteve.

Kurse Fehmije Gashi-Bytyçi, avokate, për indeksin e publikuar për pozitën e gruas në Kosovë, tha se sikur të ishte hartuar një indeks i tillë nga vendet e BE-së do të ishte shqetësuese, por, shtoi ajo, një hartim i tillë nga një institut i Oslos, varet se kush kujt iu ka përgjigjur dhe çfarë pyetjesh kanë hartuar, derisa shfaqi dyshimin nëse ka pasur ndikime edhe nga anash.

“Bile në këtë aspekt Kosova prinë në krahasim me shtetet tjera, kur të kihet parasysh kohën e përfundimit të luftës,. Kosova ka zgjedhur dy gra në krye të shtetit”, deklaroi Bytyçi.


MË SHUME NGA Lajme