Opozita fton Kurtin të raportojë në Kuvend rreth dialogut|Video
BKT
Foto: Elmina Osmani / RTK
Lajme

Opozita fton Kurtin të raportojë në Kuvend rreth dialogut|Video

V.Th. RTKlive

(E plotësuar 11:54) Pas mbledhjes së kryesisë shefi i GP të LDK-së Arben Gashi, tha se ata u pajtuan që ta ftojnë kryeministrin për raportim në kuvend, për siç tha ai për takimet e fundit të cilat janë mbajtur në Bruksel.

“Cili është drafti që është pranuar dhe si kemi ardhur deri te ky proces dhe ky konkluzion, presim që kryeministri të jetë në kuvend së bashku me dokumentet të cilat i ka pranuar dhe këto të diskutohen në kuvend”, tha Gashi.

Ai po ashtu tha se kanë shprehur të shqetësuar për grevën e minatorëve të Trepçës, ku kanë kërkuar që sa më shpejtë kryeministri dhe qeveria të gjejnë një zgjidhje për situatën e krijuar. “Kërkesat e minatorëve janë minimaliste dhe duhet dhe të gjitha duhen të plotësohen”, tha ai.

Tahiri: Raportimi i Kurtit është obligim

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri tha se raportimi i kryeministrit mbi dokumentin me të cilin është pajtuar në Bruksel, është obligim që duhet ta respektoj edhe rezolutën e Kuvendit të Kosovës.

Tahiri ka kërkuar që përmes një rezolute të pranohen kërkesat e minatorëve që janë në grevë.

“Mendoj që ky është një obligim i kryeministrit dhe është obligim i Rezolutës që është miratuar në Kuvend. E rëndësishme është që të kuptohet se në çfarë është pajtuar Qeveria e Kosovës dhe si do të jetë që kryeministri është pajtuar për Asociacionin”, ka thënë Tahiri, raporton RTKlive.

Ai foli edhe për grevën e minatorëve,ku tha se do të kërkojnë që në seancën e radhës që përmes një rezolute të pranohen kërkesat e minatorëve.

Tahiri nga AAK: Raportimi i kryeministrit është i domosdoshëm

Shefi i grupit parlamentar nga AAK Besnik Tahiri, tha se raportimi i kryeministrit është i domosdoshëm.

E sipas tij brenga e madhe për AAK-në është paga minimale, duke theksuar se Aleanca do të vazhdojë të kërkoj të drejtën për punëtorë.

Kusari-Lila: Pala kosovare e ka ofruar nënshkrimin

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, deklaroi se gjatë kësaj jave do të ketë dy seanca, seanca e të premtes do të jetë raportimi i kryeministrit Albin Kurti, për dialogun Kosovë – Serbi.

Kusari-Lila foli edhe për draftin e propozuar nga plani franko-gjerman për Asociacionin, ku tha se sipas informatave – pala kosovare e ka ofruar nënshkrimin.

“Ne si grup Parlamentar jemi të informuar për përmbajtjen e draftit të parë dhe siç e dini nuk kemi diçka të finalizuar dhe e dini se nuk ka pasur nënshkrim. Sipas informatave zyrtare, pala kosovare ka ofruar nënshkrimin ndërsa ka pasur mospranim të palës serbe”, tha ajo.

Mblidhet Kryesia, vendos për vazhdimin e seancave dhe një seancë të re

Kryesia e Kuvendit është mbledhur sot për të vendosur për vazhdimin e gjashtë seancave të papërfunduara dhe caktimin e një seance të re.

Po ashtu, në rend dite është edhe seanca e veçantë për Miratimin e Deklaratës në mbështetje të Rezolutës së Parlamentit Evropian e datës 19 tetor 2023 mbi zhvillimet e fundit në dialogun Serbi-Kosovë, përfshirë situatën në komunat veriore të Kosovës.


MË SHUME NGA Lajme