Ndërpritet greva e minatorëve në Artanë e Kishnicë, vazhdon në Stan Tërg
RTKlive
(E plotësuar) Minatorët në minierat e Artanës dhe Kishnicës e kanë ndërprerë grevën. Njoftimin e ka bërë të ditur ndërmarrja “Trepça”, teksa këtë e ka vlerësuar si vendim të drejtë dhe të mençur të minatorëve.
“Minatorët e Artanë dhe punëtorët e flotacionit në Njësinë Biznesore Minierat me Flotacion Kishnicë dhe Artanë e ndërpresin grevën dhe i rikthehen punës. Vendim i mençur dhe shumë i drejtë nga minatorët dhe punëtor e Kishnicës dhe Artanës”, thuhet në njoftimin e ndërmarrjes “Trepça”.
Ndërkohë, greva e minatorëve në minierën e Stan Tërgut po vazhdon edhe më tutje, me kërkesë për përmirësim të kushteve të punës, pagë të rregullt, sigurime shëndetësore dhe largim të kryeshefit të ndërmarrjes.
Dita e nëntë e grevës së minatorëve në Trepçë
Sot ka hyrë në ditën e nëntë greva e minatorëve të Trepçës në minierën e Stan Tërgut. Të ngujuar në horizonitin e 10-të, për më shumë se një javë, 200 minator po kërkojnë përmbushjen e kërkesave të tyre sic janë: Ekzekutimi i pagave të bëhet nga data 6 deri në datën 10 të çdo muaji; shkarkimi i menaxhmentit; sigurime shëndetësore dhe kushte më të mira të punës.
Por pos hallit që kanë me mosrealizimin e kërkesave të tyre minatorët tashmë janë të shqetësuar edhe me vendimin e Menaxhmentit të ndërrmarjes për suspendim të kryesisë së sindikatës e tyre. Menaxhmenti i Trepçës në anën tjetër, nuk i është përgjigjur RTK-së, në interesimin për të dhënë një përgjigje rreth kërkesave të minatorëve.
Greva e minatorëve të Trepçës ishte dje temë diskutimi edhe në Kuvendin e Kosovës. Anëtarët e Komisionit parlamentar për Ekonomi bashkë me minatorët diskutuan për orë të tëra për gjendjen e krijuar, por ky debat nuk prodhoi asgjë. Ata nuk arritën të pajtohen që ta miratojnë një rekomandim për Qeverinë, që t?i përmbushë në mënyrë urgjente kërkesat e minatorëve.
Krejt çka ndodhi në këtë takim ishin përplasjet e ashpra pozitë-opozitë në lidhje me gjendjen e krijuar në Trepçë, derisa nuk bënë punë as lutjet e sindikalistëve që të veprohet me urgjencë.
Brenda zyrës së Sindikatës së minatorëve të Trepçës, mbrëmë në orët e vona, është zhvilluar një takim mes kryesisë së sindikatës dhe disa deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje.























