Hamovitz: Lufta Izrael-Hamas, përplasje civilizimesh
BKT
Lajme

Hamovitz: Lufta Izrael-Hamas, përplasje civilizimesh

E. Hoti / RTKlive

Jehuda Hamovitz profesor izraelit përmes një videolidhje direkte në magazinën “Info Plus” në RTK, tha se situata në Izrael nuk është aq e mirë dhe se shpesh për shkak të bombardimeve qytetarët detyrohen të shkojnë në strehimore. Ai theksoi se konflikti Izrael – Hamas më shumë është përplasje ndërmjet civilizimeve.

“Sa më përket mua dhe familjes sime jemi mirë, jemi afër strehimores dhe së paku dy herë në ditë na duhet të shkojmë në strehimore sepse ka bombardime”, ka thënë ai.

Sipas tij forcat izraelite janë futur në territorin e Gazës, pas masakrës të 7 tetorit të grupit terrorist Hamas. “Ata po mundohen të luftojnë terroristët për të sjellë paqe dhe qetësi në kufirin tonë si dhe tek ata që jetojnë në Gazë, të cilët kërkojnë të lirohen nga Hamasi. Pra, është e ndërlikuar, ka viktima në të dyja anët dhe jemi duke u ballafaquar me një zgjidhje në të cilën predhat nuk do të nxiteshin nga Izraeli”, ka thënë ai.

Sipas tij ky konflikt ka filluar para se të ekzistonte shteti izraelit dhe më shumë është përplasje ndërmjet civilizimeve.

“Kemi luftë dhe është vështirë të gjendet zgjidhja për këtë konflikt 100 vjeçar. Mendoj se është shumë më gjatë se sa një shekull. Ky konflikt ka filluar para se të ekzistonte shteti izraelit. Nëse flisni për atë çfarë thotë Hamasi, kjo ka të bëjë me dy ndrydhje ndërmjet dy civilizimeve. Ata marrin Kuranin e shenjtë dhe sipas tij thonë se nuk duam që ju të jetoni këtu. Pra, është një luftë dhe ata duan që bota të mendojë se është beteja mes dy feve dhe më duhet ta them se këto dy fe nuk duan të luftojnë. Pra më shumë është përplasje ndërmjet civilizimesh”, tha ai.

Duke folur për deklaratat e presidentit amerikan Biden lidhur me një pauzë të luftimeve, ai tha se padyshim ka një çështje humanitare.”Janë 2.2 milionë qytetarë në Gaza, shumica prej tyre nuk janë pjesëtarë të Hamasit dhe për t’u mbrojtur u kemi thënë të shkojnë në jug në drejtim të kufirit me Egjiptin dhe aty kemi OKB-në dhe mjekët izraelit për t’ju ndihmuar atyre. Sot janë futur 100 kamionë të ndihmës humanitare”, ka shtuar ai.

Ai në fund tha se Izraeli është një vend që e do paqen.”Ne të gjithë duam paqen. Nuk e kemi nisur ne këtë luftë. Tani ka problem humanitar dhe bota ka ngritur zërin t’i ndihmojë ata“, ka nënvizuar Hamovitz.


MË SHUME NGA Lajme