Kurti: Nuk do ta nënshkruaja vetëm draft-statutin, por vetëm pakon e plotë
BKT
Lajme

Kurti: Nuk do ta nënshkruaja vetëm draft-statutin, por vetëm pakon e plotë

B. H. | RTKlive

(E plotësuar, ora 17:50) Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë raportimit të sotëm në Kuvendin e Kosovës lidhur me takimin e 26 tetorit në Bruksel, ka thënë se ai ka pranuar të vendosë nënshkrimin vetëm në paketë, ku do të ishin përfshira Marrëveshja Bazike, Aneksi i Zbatimit dhe draft-statuti për Asociacionin.

Ai ka deklaruar se nuk do të pranonte asnjëherë të nënshkruante vetëm draft-statutin, megjithëse ka thënë se atij nuk i është  kërkuar një gjë e tillë as nga pala evropiane.

“Sa i përket pranimit të këtij draft-statuti edhe një herë po e ritheksoj se draft-statuti i propozuar i ka vërejtjet e mia te ndërmjetësi, nuk është i pranuar. Unë e kam ofruar nënshkrimin e paketës. Po të më thoshin pranoje vetëm draft-statutin do të thosha jo. Por nuk më thanë. Ata nuk kërkuan prej meje ta pranoja vetëm draft-statutin. Unë atë nuk mund ta pranoja, por si pjesë e paketës kur të thonë krerët evropian me mbështetjen e SHBA-së se është urgjencë e madhe gjeopolitike, po e bëjmë sonte pra. A është ashtu? Edhe marrëveshja bazike, edhe aneksi i zbatimit edhe ky draft-statuti, me ato vërejtjet e mia, po le të jetë aty, ama me nënshkrim. Pa nënshkrim nuk ka pranim, pa nënshkrim nuk ka garancion për zbatim. Unë kam pranuar ta nënshkruaj, por ai nuk është pranuar nga të tjerët. Edhe një herë po e ritheksoj gabim kish qenë sepse ka pasur një ide ta nënshkruaj vetëm unë. ‘Contractin Parties’ thuhet. Ai do të ishte një shou, duhet të nënshkruajnë të dy palët për normalizim të marrëdhënieve. E unë konsideroj që shteti ynë është normal. Nuk do të isha në këtë gjendje po të mos ishin disa dokumente të mëhershme. Por me këtë trashëgimi që më është lënë për besë nuk jam pishman sepse kam bërë më të mirën që kam ditur dhe është dashur”, ka theksuar Kurti.

Kurti: Neni 7 na shpëton nga neni 10

B.H. /RTKlive
(E plotësuar, 17:10) Tutje kryeministri ka folur edhe sa i përket vetëmenaxhimit të komunave me shumicë serbe. Ai ka thënë se  vetëmenaxhimi i komunitetit serb praktikisht është neni 7, ai i cili na shpëton nga neni 10.

“Neni 7 na shpëton sepse vetëmenaxhimi do të thotë se nuk është se nuk është vetëadministrim, do të thotë se nuk është vetëqeverisje dhe do të thotë nuk është vetëvendosje. Të tri këto terma tjera kanë mundur të jenë po që s’janë. Është termi më i butë i mundshëm dhe është shumë mirë që është aty”, ka shtuar Kurti.

Kurti është shprehur i bindur që drafti i dytë, që është bërë marrëveshje bazike, është më i mirë se i pari.

“Kjo për shkak të një gjysmë fjalie shtesë në nenin 10, që thotë se duhet të zbatohen marrëveshjet e mëhershme por që janë të vlefshme dhe të detyrueshme. Këtu e kemi një hapësirë fantastike prej kuadrit tonë ligjor dhe kushtetues”, ka thënë Kurti.

Duke iu përgjigjur deputetit të PDK-së, Xhavit Haliti, ai ka thënë se e kupton deputetin që duhet ta fitojmë besimin e qytetarëve serbë. “Edhe unë pajtohem se duhet të përpiqemi çfarë dimë e mundemi, por le të mos harrojmë edhe çfarë kemi bërë deri më tash. Shefi im i stafit ka marrë analizat e buxhetore komunale prej vitit 2008 deri në vitin 2022. Komunat me shumicë serbe kanë marrë 62 përqind më shumë buxhet për kokë banori se sa 28 komunat e tjera. Ulëset e rezervuara janë duke i bojkotuar. Edhe mund ta kuptoj që deputeti i zgjedhur bojkoton, por atij që ia ke dhënë ulësen e rezervuar të të bojkotojë kjo nuk është bojkot, është sabotim i shtetit”, ka thënë Kurti.

Ai tutje ka thënë se gjuhë serbishte është zyrtare gjithandej në të gjitha nivelet dhe qeveria e ka për obligim ta ketë patjetër ministrin e komunitetit serb.

“Në një farë mënyre ti merr pjesë në zgjedhje por qeveria tashmë në një aspekt dihet çfarë duhet të ketë patjetër. Ka edhe gjëra tjera të panumërta që mua më kanë bërë shumë kritik e kundërshtues kundër propozimit të Ahtisarit. Por  çfarë të bëjmë tash a të presim deri kur këto të impludojnë vet në një aspekt sociohistorik, apo të angazhohemi t’i ndryshojmë maksimalisht. Unë jam për këtë të dytën. Nuk mund të ndryshojë gjithçka përnjëherë, por kritika dhe kundërshtimi im vazhdon. Por nuk është i mundshëm përnjëherë të realizohet në atë që e besojmë që është e mirë e dobishme. Për ta fituar besimin e serbëve ne mund t’ia respektojmë të drejtat, edhe ta shtojmë buxhetin, por këto nuk do të jenë të qëndrueshme pa i çrrënjosur strukturat e sigurisë. Strukturat e sigurisë janë problemi, ato struktura të cilat e kanë në krye direkt presidentin e Serbisë dhe shefin e BIA-s. Prandaj, për neve nuk bën njëra pa tjetrën”, ka nënvizuar Kurti.

Ai tutje ka folur edhe për Marrëveshjen Bazike, të cilën e ka cilësuar si njohje bazike, por ka thënë se asnjëherë nuk ka thënë se ajo marrëveshje nuk është njohje de-jure e Kosovës nga ana e Serbisë.

“Unë kam thënë se marrëveshja bazike që e kam pranuar, e pala tjetër e ka refuzuar të nënshkruaj, është njohje de-facto. Nuk kam thënë se nuk është njohje de-jure. Unë veç kam thënë se është njohje de-facto dhe unë besoj se është de-facto, por nuk kam thënë se nuk është de-jure”, ka shtuar kryeministri.

Tahiri: Kryeministri me strategji perfide na nxorri prej teme, e braktisim seancën

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë se në seancën e sotme “kryeministri Albin Kurti me një strategji perfide na ka nxjerrë prej teme”, teksa ka bërë të ditur largimin e deputetëve të AAK-së nga kjo seancë.

“A jeni duke e parë që ky njeri nuk është duke u përgjigjur në pyetjet tona, të raportojë se çfarë ka ndodhur në Bruksel, ku është drafti dhe çfarë do të ndodhë me Kosovën prej takimit të Brukselit e në muajt e ardhshëm. Ky njeri është duke bërë fushatë. Jemi jashtë teme, ne jemi pjesë e një fushate. Nëse e merrni minutazhën e shihni sa po fol kryeministri,  çka po flet ai. 20 përqind e temës së tij është për  çka e kemi thirrur e 80 përqind është fushatë për mu shfajësuar prej qëndrimit të tij dhe prej shkeljes së kauzës së tij politike. Ne, nuk marrim pjesë dhe automatikisht e lëshojmë sallën si grup parlamentar”, ka thënë Tahiri.

Kurti: Kosova është në avantazh pas 26 tetorit

M.Miftari /RTKlive
(E plotësuar, ora 15:40) Kryeministri Kurti në përgjigjen ndaj deputetit të AAK-së, Besnik Tahiri, i cili pati shtruar pyetjen nëse Kosova është apo jo në avantazh në marrëveshjet e fundit në Bruksel, tha se po, Kosova është në avantazh pas 26 tetorit.

Tutje, Kuti sqaroi se në margjinat e samitit të KE-së nuk ka pasur negociata, por ka pasur takime bilateral pa takim trilateral.

“Në margjinat e samitit të KE-së nuk ka pasur negociata, por ka pasur takime bilateral pa takim trilateral, ku unë jam ftuar nga krerët e BE-së dhe besoj se gjëja më e përshtatshme të thuhet është përgjigja pozitive në atë takim”, deklaroi kryeministri Kurti.

Ai më tej bëri të ditur se ka bërë komente tek emisari Lajçak, por që, theksoi ai, nuk mund  t’i bëjë publike, “sepse lidhen drejtpërsëdrejti me përmbajtjen e statutit”.

Kurti foli edhe për shëndetësinë, por që, shtoi ai, më e rëndësishme tani për tani, është eliminimi i atyre që kërcënojnë sigurinë e vendit tonë.

Ai lidhur me  termin vetmenaxhim, sqaroi se neni 7 praktikisht na ka shpëtuar nga neni 10, përveç se nën nenin 10 thuhet marrëveshjet e mëhershme që janë të detyrueshme dhe valide, “sepse vetmenaxhim do të thotë se nuk është vetadministrim, do të thotë nuk është vetëqeverisje, do të thotë nuk është vetëvendosje.

Kurti: Merrem me trashëgimin tuaj, jo me dëshirë, por me detyrë

M.Miftari /RTKlive

(E plotësuar, ora 15:33) Kryeministri Kurti, në një replikë ndaj deputetes nga radhët e PDK-së, Araiana Shoshi-Musliu, në seancën e sotme parlamentare tha se po orvateni të bëni dokumentar për mua, si kryeministër.

“Këtu më keni thirrur të raportoj për takimin e 26 tetorit në Bruksel. Unë raportova për krejt çka është e mundshme të raportohet në kohën në të cilën ndodhemi dhe isha shumë respektues edhe i sjellshëm”, deklaroi Kurti.

Ai mes tjerash sugjeroi deputeten Shoshi-Musliu që të gjurmojë video-incizime edhe më të hershme, ku ka kundërshtuar edhe planin e Ahtisaarit.

“Kjo është trashëgimia e juaj. Unë merrem me trashëgimin tuaj, jo me dëshirë, por me detyrë”, shtoi më tej Kurti.

Kurti: Nuk ka dokument për ‘zajednicën`

A.Bela/ RTKlive

(E plotësuar, ora 14:35) Kryeministri Albin Kurti iu ka përgjigjur deputetëve opozitarë rreth qasjes në dokumentet për Asosacionin.

Shefi i ekzekutivit tha se nuk ka dokument për ‘zajednicën”.  Ai tha se nuk ka ndryshuar as koncepti, as  qëndrimi, por ka ndryshuar strategjinë. Kurti tha se Vuçiqi kërkon që të pranojë marrëveshjet e 2013-ës e 2015-ës.

“Ai nuk po don draft statutit e 2013-ës. Ju don fort juve. Ju jeni në opozitë dhe ai po don shumë. Ai po don 2013-ën dhe 2015-ën. Unë kam thënë që pranoj nënshkrimin e nënshkrimi është pranim i përmbajtjes. Nuk mund të ketë qasje në dokument për ‘Zajednicën’, sepse nuk ka dokument”, tha Kurti, duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve të opozitës.

Kurti: Drafti i emisarëve është për shkak të marrëveshjeve 2013-2015

M.Miftari/RTKlive

(E plotësuar, ora 14:23) Kryeministri Kurti, duke marrë fjalën pas reagimeve të liderëve dhe deputetë të opozitës, në seancën e sotme parlamentare, falënderoi ministrin për Komunitet e Kthim, Nenad Rashiq, për fjalimin e të cilit, sikundër u shpreh Kurti qetësoi opozitën.

Drafti i emisarëve është për shkak të marrëveshjeve 2013-2015, nuk do të ishte draft të emisarëve po të mos ishin ato marrëveshje, mirëpo ky draft është i pakrahasueshëm për të mirë në raport me marrëveshjet 2013-2015.

Përkundër kësaj, kryeministri Kurti u shpreh se ia ka dërguar kritikat e tij emisarit të BE-së Lajçak, dy ditë para takimit në Bruksel.

|NË takimin  26 tetorit  kam thënë se nëse paska këso urgjenca globale, kryeqytet më të mirë e  ngjarje më të rëndësishme se Brukseli e samiti i KE-së nuk ka, le ta nënshkruajmë sonte”, sqaroi kryeministri Kurti, teksa shtoi se nënshkrimi nënkupton pranim të atyre marrëveshjeve.

Ai më tej nën këtë prizëm, tha se nënshkrimi i të dy palëve do të nënkuptonte normalizimin e të dyja vendeve dhe jo, siç u shpreh ai, vetëm nga njëra palë.

“Unë dua t’i normalizoj marrëdhëniet e ndërkombëtarët e normalizojnë Serbinë”, theksoi Kurti.

 

Kurti: Në dialog duhej qasje e re, ku në qendër ishte njohja reciproke

M.Miftari /RTKlive

(E plotësuar, 12:23) Kryeministri Kurti në fillim të fjalimit të tij tha se çdo herë me kërkesën e deputetëve të Kuvendit ka raportuar lidhur me takime që ka pasur me përfaqësuesit e  nivelit të lartë BE-së, në Bruksel për rezultatet e tij.

“Dialogu për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë është një proces i cili ka nisur në mars të viti 2011. Një dekadë e dialogut solli marrëveshje të titulluar si: Marrëveshje e konkluzione. Por ajo që do të veçohej ishte marrëveshja e 19 prillit të vitit 2013 për Asociacionin e Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe, e cila, me gjithë kundërshtimin e LVV-së e jo vetëm, e pati kaluar ky kuvend me 2/3 në detyrim ligjor ndaj partnerëve ndërkombëtarë”, deklaroi Kurti, derisa vuri në dukje marrëveshjen e vitit 2015 që iu shtua sikundër tha ai, kompetencat e Asociacionit, të cilat Gjykata Kushtetuese i gjeti shkelje në 23 nene.

Ai më tej theksoi se marrëveshjet tjera janë bërë nën supozimin për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës e Serbisë, si dhe por integrimin e veriut të Kosovës.

Kurti më tej foli për procesin e dialogut që nga koha kur ai ka qeverisur me vendin.

“Nga marsi i vitit 2021, kur kemi marrë qeverinë, kemi thënë se na duhet një qasje e re në dialog, një qasje parimore si palë të barabarta, ku në qendër është njohja reciproke.

Kurti: Marrëveshja ka njohjen ’de facto’, është trashëgim nga dialogu i kaluar

M.MIftari /RTKlive

(E plotësuar) Kryeministri Kurti, në seancën e Kuvendit, më tej foli për procesin e dialogut që nga koha kur ai ka qeverisur me vendin.

“Nga marsi i vitit 2021, kur kemi marrë qeverinë, kemi thënë se na duhet një qasje e re në dialog, një qasje parimore si palë të barabarta, ku në qendër është njohja reciproke.

Kurti mes tjerash vuri në pah fokusin e qeverisjes së tij e cila ishte zhvillimi ekonomik dhe sundimi i ligjit.

Sipas tij, suksesi demokrati e zhvillimi ekonomik i kontribuon edhe integrimit të veriut të vendit, teksa shtoi se kriminelët e të gjitha etnive i lufton sundimi i ligjit të drejtë.

Kurti, megjithatë tha se sundimi i ligjit do të vazhdojë pavarësisht zhvillimit të dialogut, si veçori prej qeverive të kaluara si dhe rezultati i dialogut në këto dy vite.

Kryeministri Kurti më tej foli për marrëveshjen e arritur së fundmi në Bruksel e Ohër.

“Dy vite të qeverisjes sonë kanë sjellë një marrëveshje. Ajo është marrëveshja e arritur më 27 shkurt të këtij viti e cila ka edhe aneksin zbatues të Ohrit të 18 marsit”, deklaroi Kurti.

Kurti tha se kjo marrëveshje ka në brendi njohjen ‘de facto’ nga Serbia, derisa shtoi se neni 7 është i trashëguar nga dialogu i dekadës së kaluar.

Kryeministri Kurti më tej foli për marrëveshjen e arritur së fundmi në Bruksel e Ohër.

“Dy vite të qeverisjes sonë kanë sjellë një marrëveshje. Ajo është marrëveshja e arritur më 27 shkurt të këtij viti e cila ka edhe aneksin zbatues të Ohrit të 18 marsit”, deklaroi Kurti.

Kurti tha se kjo marrëveshje ka në brendi njohjen ‘de facto’ nga Serbia, derisa shtoi se neni 7 është i trashëguar nga dialogu i dekadës së kaluar, si dhe rezultati i dialogut në këto dy vite.

“Qëndrimi i qeverisë ka qenë zbatimi i plotë i marrëveshjes së arritur në Bruksel e në Ohër”, tha Kurti, teksa njoftoi për takimin e tij me pesë emisarët evropianë e amerikanë, mbajtur më 21 tetor të këtij viti, të cilët kishin ofruar një plan për ecjen përpara.

“Ky plan përfshinte propozim për një draft-statut të nenit 7 në lidhje me nenin 10 të marrëveshjes”, tha kryeministri Kurti, të cilin e vlerësoi si të hartuar me kujdes në frymën kushtetuese.

Kurti: Emisarët na e kanë propozuar një draft që nuk është 'zajedenicë'

M.Miftari /RTKlive

(E plotësuar) Kryeministri Kurti tha me këtë rast se emisarët e kanë propozuar një draft.

 

“Ky dokument përfaqen unitetin trans-atlantik. Vet zyrtarë të lartë të shteteve sponzoruese kanë marrë pjesë në hartimin e tij.  Ma kanë bërë shume të qartë se drafti është shkruar për të qenë në harmoni me bërë Kushtetutën, letrën e Frederica Mogherinit, qëndrimin Schole e Escobar dhe më thanë që është në përputhje me ligjet e Kosovës,por une iu kam dhanë garanci emisarëve qe nuk do ta publikoj atë”, tha Kurti.

“Por mund t’ju them se drafti ka qartësi për njohjen e Kosovës si shtet i pavarur, ku serbet do të jetojnë në përputhje me aspiratat multi-etnike të Kushtetuëe dhe pa qëllim tjetër dëmtues dhe minues për Republiën e Kosovës. Kjo na e bënë të qartë se nuk është Zajedenicë”, tha kryeministri kurti.

 

Nis Kuvendi, Kurti pritet të raportojë për takimin e fundit në Bruksel

N.Mekolli /RTKlive

(E plotësuar 11:59) Nis seanca parlamentare e Kuvendit të Kosovës, ku kryeministri Albin Kurti pritet të raportojë për takimin e fundit në Bruksel, në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi.

 

Kurti ishte takuar me udhëheqësit e Gjermanisë, Francës dhe Italisë me 26 tetor dhe pas takimit kishte deklaruar se ishte i gatshëm për ta nënshkruar propozimin që i ishte dorëzuar më 21 tetor nga pesëshja e madhe.

Ndryshe në seancën e sotme janë edhe pika të tjera në rend të ditës si votimi i Propozim-Rezolutës për mbështetjen urgjente financiare të Policisë së Kosovës, votimi i Projekt-Rezolutës nga debati parlamentar në lidhje me nevojën për ngritjen e koeficientit të pagave dhe shumë pika të tjera.

Kryeministri ka hyrë ne Kuvend nga hyrja e prapme

E.Podvorica /RTK

(E plotësuar 11:48) Kryeministri Albin Kurti ka shfrytëzuar hyrjen mbrapa të Kuvendit për të shkuar ne seancë, duke iu shmangur dy hyrjeve ku po e prisnin aktivistët e PSD-së

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

Në të gjitha hyrjet janë parë prezencë e shtuar e policisë.

Kurti raporton në Kuvend në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi

A.B /RTKlive

Kryeministri i Kosovës,  Albin Kurti sot në Kuvendin e Kosovës, do të raportojë për takimin  e fundit në Bruksel në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi.

Kurti ishte takuar me udhëheqësit e Gjermanisë, Francës dhe Italisë me 26 tetor dhe pas takimit kishte deklaruar se ishte i gatshëm për ta nënshkruar propozimin që i ishte dorëzuar më 21 tetor nga pesëshja e madhe.

"Pavarësisht ofertës sime, Serbia refuzoi të nënshkruajë marrëveshjen dhe draftin e 21 tetorit. Përkundrazi, ajo kërkoi një letër anësore që do të anulonte 3 parime të marrëveshjes dhe propozimin e 21 tetorit. Pranimi do të thotë nënshkrim, dhe nënshkrimi garanton pranimin dhe zbatimin”, kishte deklaruar Kurti.

Ndryshe në seancën e sotme janë edhe pika të tjera në rend të ditës si votimi i Propozim-Rezolutës për mbështetjen urgjente financiare të Policisë së Kosovës, votimi i Projekt-Rezolutës nga debati parlamentar në lidhje me nevojën për ngritjen e koeficientit të pagave, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Parqet Industriale dhe Teknologjike, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për kadastër të pronës së paluajtshme, shqyrtimi i parë i Projektligjit për Administrimin e Procedurave Tatimore, shqyrtimi i parë i Projektligjit për promovimin e përdorimit të burimeve të ripërtërishme të energjisë dhe shqyrtimi i rekomandimeve lidhur me Raportin e Auditorit të Përgjithshëm për Raportin Vjetor Financiar të Buxhetit të Republikës së Kosovës, për vitin 2022, raporton RTKlive.

Në rend dite është edhe zgjedhja e dy anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Mediave, zgjedhja e një anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga radha e komunitetit serb, miratimi i buxhetit të Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me rastet e dhunës seksuale dhe dhunës në familje dhe shqyrtimi i Projekt-Deklaratës për raportet e Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.


MË SHUME NGA Lajme