Bislimi: Kosova më shumë ka nevojë për mbështetje se sa për kushte|Video
BKT
Lajme

Bislimi: Kosova më shumë ka nevojë për mbështetje se sa për kushte|Video

Sh. Gashi/ RTKlive

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, është takuar me ambasadorin e BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog. Ambasadori Szunyog ia ka dorëzuar zëvendëskryeministrit Bislimi, Raportin për Kosovën nga Komisioni Evropian.

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, pasi ka pranuar raportin e KE-së për Kosovën ka theksuar se Kosova më shumë ka nevojë për mbështetje se sa për kushte.

“Ky është raporti i parë pas aplikimi për anëtarësim në BE. Raporti përgëzon Kosovës për politikën e saj të jashtme. Kosova për shkak specifikave të saja gjendet mbrapa në rrugën e saj drejte BE-së dhe për këtë Kosova ka nevojë për mbështetje shtesë nga BE e assesi për kushte e parakushte”, ka deklaruar Bislimi në konferencën e përbashkët me shefin e Zyrës së BE-së, Tomas Szunyog.

Bislimi ka thënë se BE-ja duhet të dëshmojë se Kosovën e do dhe e sheh brenda Bashkimit Evropian.

“Janë disa arritje në segmentin e kritereve politike, përkatësisht në fushën e funksionimit të demokracisë, drejtësisë dhe sundimit të ligjit, luftimit të korrupsionit dhe administratës publike që do të duhej të vlerësohen e theksohen më shumë në këtë raport meqë janë të arritura me shumë rëndësi për një shoqëri demokratike. Edhe BE-ja duhet të dëshmojë se Kosovën e do dhe e sheh brenda Bashkimit Evropian. Mosnjohja e plotë nga 27 vendet anëtare të BE-së, vazhdojnë ta dobësojnë pozicionin e BE-së jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon”, ka thënë ai.

Zëvendëskryeministri ka theksuar se vendi gjendet më prapa në rrugëtimin e saj drejt BE-së dhe ka indikatorë më të pafavorshëm për shkak të disa specifikave, për çka ka nevojë për mbështetjen shtesë të bllokut evropian.

“Sa i përket kuvendit, duhet të kemi parasysh që ai dhe efikasiteti i tij matet me numrin e ligjeve të miratuara dhe ushtrimin e suksesshëm të funksioneve të tjera mbikëqyrëse dhe jo me atë se a është arritur kuorumi apo a ka arritur që të mbahet një numër i mbledhjeve. Reformat e brendshme në sundimin e ligjit, liberalizimi i vizave, përkushtimi në bashkëpunimin rajonal konfirmojnë se jemi duke bërë hapin e duhur në rrugën drejt të ardhmes evropiane. Largimi i masave nga BE-ja do ta kthente besimin dhe do të përshpejtonte edhe më shumë reformat. Kosova vazhdimisht ka dëshmuar se është aleate e BE-së, sepse beson në të ardhmen e vet evropiane”, ka deklaruar ai.

Duke komentuar raportin nga Komisioni Evropian, Bislimi ka theksuar se Kosova gjendet më mirë se Serbia në shumë fusha.

“Raporti nuk e vlerëson Kosovën si raport me progres të limituar. Ka pak edhe arsye për diskutim për kualitetin edhe të vlerësimi, por vlerësimi edhe më i mirë bëhet në tren. Kosova në këtë indeks është 35 pozita më të mira se Serbia, është 31 pozita më lartë se Shqipëria. Tek lufta kundër korrupsion thuhet se Kosova është në fazën e hershme, por qëndron më mire se të gjitha vendet e Ballkanit”, ka deklaruar ai.

Bislimi ka thënë se Kosova është vlerësuar edhe në fushën e bashkëpunimit rajonal, për çka ka përmendur nevojën për të mos jetuar nën frikën se mund të ketë konflikt në rajon.  Zëvendëskryeministri ka shtuar se ky raport nuk e vlerëson Kosovën me notën “progres i limituar”, por janë disa fusha në të cilat është vlerësuar e tillë.

Szunyog: Kosova dhe Serbia s’kanë filluar zbatimin e obligimeve nga marrëveshja e detyrueshme

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, ambasadori Tomas Szunyog, ka thënë se Kosova dhe Serbia nuk kanë filluar zbatimin e obligimeve që dalin nga marrëveshja e detyrueshme në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian.

Pas dorëzimit të raportit në konferencën e përbashkët për media me zëvendëskryeministrin Bislimi, Szunyog ka thënë se fatkeqësisht bota është në kohë sfiduese për shkak të luftës në Ukrainë, e pastaj edhe lufta në Gaza dhe situatës së rëndë gjeopolitike dhe sipas tij zgjerimi është një prej veglave kryesore ë BE-së, për t’u përballur me këtë mjedis sfidues.

Szunyog ka thënë se Komisioni Evropian ka propozuar një plan të ri financiar si pjesë e një mekanizmi të ri financiar për të lehtësuar konvergjencën ndërmjet Ballkanit Perëndimor dhe standardeve ekonomike të BE-së, gjithashtu pre të bërë incentivat financiare që zgjerimi i BE-së të ndodhë sa më shpejtë.

“Edhe Kosova dhe Serbia ende nuk kanë filluar të zbatojnë obligimet që dalin nga marrëveshja e detyrueshme në rrugën e tyre drejtë BE-së. Anëtarësimi në BE është çështje strategjike dhe këtu përshtatja e vlerave të Kosovës me politikat e sigurisë së jashtme vlerësohet. Po ashtu keni paraqitur zgjedhjen tuaj strategjike duke zbatuar reformat e reja. Në veçanti agjenda e reformës drejtë BE-së është me rëndësi, po ashtu stabiliteti politik i Kosovës ka lejuar të zbatohet një pjesë e mirë e legjislacionit. Sidoqoftë mosbashkëpunimi mes partive dhe mospajtimet ndërmjet mazhorancës vazhdon të sfidojë punën e Kuvendit. Rekomandimet e vitit të kaluar për reformën në administratën publike nuk janë zbatuar , ka thënë ai.

Sipas tij, meqenëse Kosova mbetet në fazë të hershme të zhvillimit të sistemit gjyqësor duhet edhe më tutje t’i fuqizojë veglat duke mbrojtur integritetin, llogaridhënien pavarësinë dhe efikasitetin e sistemit gjyqësor. Raporti rekomandon që Kosova të bëjë më shumë në përpjekje për të zbatuar legjislacionin kundër korrupsionit që është miratuar kohëve të fundit.

Ai ka theksuar se sa i përket financimit të krimit të organizuar, Kosova duhet të bëjë hetime më prokative dhe duhet të punojë në konfiskimin e aseteve të jashtëligjshme.

Ambasadori i BE-së në Kosovë ka theksuar se kapacitetet për monitorim të politikave dhe legjislacionit janë përmirësuar, ekonomia ka shënuar qëndrueshmëri por ende ka nevojë që të trajtohen disa sfida afatgjata.

“Sa i përket konkurrueshmërisë dhe rritjes ekonomike ka bërë progres, në agjendën e gjelbër dhe infrastrukturën rrugore janë bërë përmirësime. Sa i përket tregtisë Kosova ka bërë progres. Mirëpresim progresin e Kosovës në reformat drejtë anëtarësimit në BE duke shikuar mundësitë që nuk duhet të ketë hapësirë për mospajtime për miratimin e reformave. Kosova është e përgatitur mesatarisht në prokurimin publik, qarkullimin e mallrave, politika monetare dhe ekonomike”, ka deklaruar ai.

 


MË SHUME NGA Lajme