RTSH-RTK-RTCG nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi
BKT
Lajme

RTSH-RTK-RTCG nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi

RTKlive

RTSH, RTK dhe RTCG kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi. Drejtori i Përgjithshëm i Radio Televizionit Publik Shqiptar, Alfred Peza është shprehur se kjo nismë e RTSH-së, vjen jo vetëm për të përmbushur frymën dhe filozofinë e EBU-së, por dhe rritjen e bashkëpunimit mes Radio Televizionet Publike të katër vendeve të rajonit.

Peza ka vënë theksin te rëndësia e transmetuesve publikë, dhe bashkimi i energjive, forcave dhe pikave të përbashkëta për rritjen e besueshmërisë me programe cilësore, përmbajtje profesionale dhe informim e edukim më të mirë për qytetarët e katër vendeve të rajonit. Drejtori i Përgjithshëm i Radio Televizionit Publik Shqiptar u shpreh gjithashtu se me nënshkrimin e kësaj marrëveshje, do shkëmbehen programet audio dhe audiovizive. 

“Drejtori i Përgjithshëm i Radio Televizionit Publik të Maqedonisë së Veriut do na bashkohet javën e ardhshme në Tiranë për të plotësuar takimin rajonal të 4 drejtorëve të Përgjithshëm të Radio Televizioneve Publike të 4 vendeve tona, Shqipëri, Kosovë, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi. Nismë kjo e RTSH-së për të përmbushur frymën dhe filozofinë e EBU-së, të cilët e kanë në frymë dhe filozofinë e tyre jo vetëm bashkëpunimin bilateral mes Radio televizioneve tona, por dhe bashkëpunimin ndër rajonal  që Radio Televizionet Publike të vendeve tona, ti shërbejnë më mirë publikut brenda territorit të kufijve të vendeve tona dhe miqësisë e bashkëpunimit të ndërsjelltë mes nesh. E gjetëm të udhës të nisnim këtë takim e të realizonim këtë takim të parë, e para nisur nga tradita e mirë e bashkëpunimit historik mes popujve tanë, e dyta, nisur nga fakti se problematika që trajtojnë RTSH-të tonë, në misionin e tyre për informimin dhe hartimin e  audiencave tona i kanë gjithnjë e më tepër fokusin, problematikat e dinamikat e zhvillimit të përbashkët”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, në një botë në ndryshim, në realitetin e botës virtuale dhe mediave të reja online, rëndësia e transmetuesve publikë sot bëhet gjithnjë e më e madhe, për shkak se në të gjitha anketat dhe stadiumet shkencore për median, mediat publike dalin nën të gjitha rastet mediat më të besueshme, për popujt e  vendet që i ndjekin ato.

“Ne do duhet të bashkojmë energjitë, forcat e pikat e përbashkëta të interesit për të rritur besueshmërinë tonë për të patur programe gjithnjë e më cilësore, me përmbajtje profesionale dhe për të arritur misionin tonë, për informimin, edukimin, dhe argëtimin e audiencave tona dhe popujve të vendeve tona. Gjithashtu, ne nuk jemi vetëm ndarje përsa i përket emërtimeve, por duke qenë pjesë historike e të njëjtës gjeografi dhe vijimësie të bashkëjetesës ndër shekuj, ne kemi sot më shumë se kurrë sfida të përbashkëta. Këto sfida përmbushen  jo vetëm përmes sasisë dhe cilësisë së programeve, por dhe ne përmbushje të disa sfidave të reja që ka sjellë kohë. Disa prej tyre lidhen me sfidat teknologjike për digjitalizimin, por dhe me rritjen e identitetit tonë kombëtar përmes programeve tona dhe përmes të njëjtës shpejtësi dhe qasje për integrimet tona euro-atlantike”, është shprehur Peza.

Ahmetxhekaj: RTK po punon për të pasur një program të përbashkët me RTSH-në dhe RTCG-në

Drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj ka thënë se Radiotelevizioni i Kosovës po punon për të pasur një program të përbashkët me RTSH-në dhe RTCG-në, dhe të tria institucionet po bashkëpunojnë me hapa shumë të shpejtë.

"Më vjen shumë mirë që dinamika e realizimit të këtij bashkëpunimi po bëhet me kaq shpejtësi të madhe falë edhe angazhimit të drejtorit të përgjithshëm të RTSH-së. Të tre ne mund të ishim në zyrat tona duke bërë projekte se si ta konkurrojmë njëri-tjetrin, por zgjodhëm një rrugë tjetër: bashkëpunimi ndërmjet transmetuesve publikë është kyç që ne të rrisim pos potencialit të bashkëpunimit teknik dhe teknologjik, edhe të programit. Ne jetojmë në shtete që janë shumetnike, kemi komunitete të ndryshme dhe ajo që mund të ofrojmë të gjithë së bashku është shumë më e madhe sesa të mendojmë si ta luftojmë njëri-tjetrin si konkurrentë. Para pak ditësh në Prishtinë kishim Festivalin i të Këngës, i cili ishte një festë kombëtare. Pa ndihmën e Radiotelevizionit të Malit të Zi ndoshta nuk do të mund të arrinim kualitetin e transmetimit që u arrit. Prandaj bashkëpunimi sjell ura të reja dhe në këtë mënyrë mund të jemi më afër qytetarëve tanë" ka theksuar, Ahmetxhekaj.

Raoniq: Marrëveshja në dobi të pakicave 

Drejtori i përgjithshëm i Radiotelevizionit të Malit të Zi (RTCG), Boris Raoniq, ka theksuar se marrëveshja e bashkëpunimit që u finalizua mes tre radiotelevizioneve publike të Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi nuk do të jetë vetëm në letër.

"Ne jemi këtu që të finalizojmë atë për të cilën kemi biseduar shpesh. Përveç tri vendeve tona, shpresojmë që edhe Maqedonia e Veriut do të na bashkëngjitet, sepse kemi shumë ura lidhëse mes nesh. Ne sot jemi këtu që të nënshkruajmë ato ura që do t'i shfrytëzojmë shumë më shpesh. Radiotelevizioni i Malit të Zi është i gatshëm që të gjitha kapacitetet e veta t'i vendosë në dispozicion të radiotelevizioneve të Shqipërisë dhe Kosovës, dhe shpresojmë që edhe ata të na ndihmojnë. Ne nuk kemi aq kapacitete sa të pasurojmë programin e pakicave me gjuhën shqipe, por pakica malazeze në Shqipëri përmes programit të Radiotelevizionit Malit të Zi do të ketë një dobi të madhe. Qytetarët duhet të jenë të vetëdijshëm se pa shërbime publike nuk mund të jenë të mirinformuar sidomos në kohët e sotme kur përdoren platforma të ndryshme. Shpresoj që kjo marrëveshje e cila arrijmë sot nuk do të jetë vetëm në letër, por do të jetë në të mirën e të gjithëve", ka thënë Raoniq.


MË SHUME NGA Lajme