Kryeministri Kurti udhëton për në Malaga të Spanjës
E. Hoti / RTKlive
Nga Parisi, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar për në Malaga të Spanjës, ku do të marrë pjesë në Kongresin e Partisë së Socialistëve Evropianë 2023.
"I titulluar "Evropa në krye", ky kongres do bashkojë krerë e liderë të shteteve e qeverive të udhëhequra nga parti simotra, aktivistë e mbështetës nga e gjitha Evropa për të diskutuar çështje, zgjedhur udhëheqësinë e PES dhe përgatitur për zgjedhjet e ardhshme evropiane", thuhet në njoftimin për media nga Zyra e Kryeministrit.
Gjatë kësaj pjesëmarrjeje njëditore, kryeministri Kurti do të jetë i shoqëruar nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku dhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti.
Para nisjes në Spanjë Kurti dje ka qëndruar në Francë, ku me bashkëshorten Rita ka marrë pjesë në Forumin e Paqes, i ftuar nga presidenti Macron, ndërsa gjatë ditës ka takuar ekonomistin Thomas Piketty si dhe ka vizituar Shkollën Normale Superiore.























