Giaufret: Marrëveshja me Kosovën, kusht për integrimin e Serbisë
M.Sh/RTKlive
Shefi i delegacionit të BE-së në Beograd, Emanuele Giaufret ka ritheksuar se marrëveshja me Kosovën është obligim për integrim e Serbisë në Bashkimin Evropian. Ai tha se krahas çështjeve të brendshme që janë sundimi i ligjit e demokracia, Kosova është pjesë e pakos e cila konsiderohet e pashmangshme për integrim.
Giaufret tha se Kosova nuk është “alfa dhe omega” e integrimit të Serbisë, pasi shtylla e parë është “sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe pluralizmi mediatik”.
Ndërsa shtylla e dytë që është e pashmangshme, sipas tij, është normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Të dyja janë këto, siç tha Giaufret, janë të rëndësishme për integrimin e Serbisë.
“Ne nuk e kemi lënë mënjanë shtetin ligjor, përkundrazi, është një çështje e rëndësishme në punën tonë, por edhe normalizimi i marrëdhënieve gjithashtu, sepse ne duam të gjejmë një rrugëdalje nga kjo situatë për t'ua lehtësuar jetën njerëzve”, tha Giaufret, sipas të cilit, normalizimi është pjesë e pakos e cila duhet të zbatohet.
I pyetur nëse kjo do të thotë se në atë paketë është edhe Serbia, e cila e njeh pavarësinë e Kosovës, Giaufret ka përsëritur fjalët e kryetares së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, pra se bëhet fjalë për “zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve”, raporton Beta.
"Ne po flasim për zbatimin e marrëveshjeve të arritura dhe duhet të ecim përpara. Jo vetëm nga pala serbe, por edhe Kosova duhet të zbatojë pjesën e saj të obligimeve," tha Giaufret, sipas të cilit, duhet të tejkalohen bllokadat ekzistuese.
Ai theksoi se një nga çështjet kyçe në dialogun e ardhshëm në Bruksel për dy ditë do të jetë themelimi i Bashkësisë së Komunave Serbe, të cilën ai e quan "obligim i Prishtinës i marrë shumë kohë më parë". “Ne duhet të shtyjmë përpara zbatimin e obligimeve që nuk janë zbatuar deri më tani dhe Asociacioni është një nga ato çështje”, tha ai.























