Kurti: Kosova po kontribuon për stabilitet dhe paqe në rajon|Video
A.B/RTKlive
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, tha se profesionalizmi i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, është i rëndësishëm për mbrojtjen e kufijve të Kosovës që mallrat që kalojnë të jenë të kontrolluara dhe kriminelët të ndëshkohen.
“Bashkë po angazhohemi të ndërtojmë një shtet të sigurt për të mbrojtur vendin e popullin tonë“, tha Kurti sot në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP), ku është shënuar “Dita e informimit për komunitetet”, raporton RTKlive.
Ai bëri me dije se nga fillimi i mandatit qeverisë janë zhvilluar mbi 1000 operacione kundër kontrabandës, janë shkatërruar 100 grupe kriminale, 16 laboratorë të drogës dhe mbi 3800 persona janë arrestuar.
“Duke qenë të besueshëm ndaj aleatëve tanë, po i kontribuojmë paqes së qëndrueshme dhe stabilitetit afatgjatë në rajonin tonë”, theksoi Kurti.
Kryeministri Kurti ka ftuar anëtarët e komuniteteve të ndryshme të Kosovës që të bëhen pjesë e Akademisë së Kosovës për Siguri Publike dhe të shërbejnë në institucionet e sigurisë në vend.
Kurti ka thënë se ka përparim në përfshirje më të madhe të komuniteteve në institucionet e sigurisë.
“Duke i vënë në funksion, talentet, shkathtësitë dhe profesionalizmin nga të gjithë qytetarët pa dallim, institucionet e sigurisë do të arrijnë më të mirën në shërbim të mbrojtjes, sigurisë dhe paqes”, ka deklaruar ai.
Diversitetin e ka quajtur vlerë, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Ai ka thënë se dyert e institucioneve të sigurisë janë gjithmonë të hapura për ata që duan të jenë faktorë në ofrimin e sigurisë.
“Në historinë e themelimit të institucioneve tona dhe në ngritjen e kapaciteteve tona, pjesë e pandashme është kontributi nga të gjitha komunitetet”, ka thënë ai.
Ministri për komunitetet dhe kthim, Nenad Rashiq, ka thënë se akademia për të është simbol i bashkëpunimit për të ardhmen.
“Kjo shkollë, kjo akademi, mua më simbolizon një fillim, një bashkëpunim, për te gjithë për një përparim, për një zhvillim dhe për të ardhmen dhe me që jemi në këtë vend nuk e di se ku do të ishte vendi më i përshtatshëm për ju rini se që të jeni këtu”, ka thënë ai.























