RTK reagon lidhur me shkrimin e kallxo.com
N.M. /RTKlive
Menaxhmenti i RTK-së ka reaguar lidhur me një shkrim të publikuar nga kallxo.com për kontraktimin e serialit “Tosta te Suki”, duke e cilësuar atë tendencioz.
Menaxhmenti i RTK-së sqaron publikun se shkrimi i kallxo.com në lidhje me kontraktimin e serialit ‘Tosta te Suki’ shtrembëron dhe interpreton në mënyrë tendencioze dokumentet zyrtare.
Sipas një shkrimi të këtij portali, RTK e ka shpërblyer me kontratë një kompani të sapo themeluar.
Por, në fakt thirrja publike e shpallur nga RTK nuk ka qenë për Kompani / Biznese e as Produksione, por Thirrje publike për të gjithë Producentët e Pavarur vendor si persona fizik, dhe që e njëjta gjen mbështetjen e plotë ligjore në nenin 12 të Ligjit për RTK-në: “RTK duhet të sigurojë së paku pesëmbëdhjetë për qind (15%) të programit të RTK-së, por jo më shumë se njëzet përqind (20%), nga producentët e pavarur vendor, në transmetimet radiotelevizive, duke përfshirë obligimet sipas nenit 9 të këtij ligji por duke mos i përfshirë këtu programet e lajmeve…6. Procedurat, kushtet dhe kriteret më të hollësishme për porositjen e veprave audiovizuele dhe të tjera të përafërta nga producentët e pavarur dhe për transmetimin e tyre në pajtim me këtë ligj duhet të përcaktohen me rregullore të brendshme të harmonizuar me legjislacionin vendor”
Në sqarimin e menaxhmentit thuhet se të drejtën për aplikim sipas ligjit e kanë jo vetëm personat juridik por edhe personat fizik, si producentë të pavarur vendor/ autorë që kanë krijuar veprën.
Tutje në reagim thuhet se në kriteret dhe kushtet që janë të përcaktuara me rregulloren e brendshme, nuk kërkohet që në fazën fillestare të thirrjes publike të dokumentohet që Producentët e Pavarur vendor janë të regjistruar në ARBK, por kërkohet plotësimi i këtyre kritereve: “përmbushja e nevojës të skemës programore; cilësia e skenarit, përmbajtjes, projektit ose program i regjistruar; interesi publik lidhur me përmbajtjen e programit; origjinaliteti ideve; çmimi, mënyra dhe kushtet e pagesës; shtrirja e drejtave të cilat jepen; referenca e aktorëve. regjisorit, kamermanet, autoret e skenarit;referenca e producentit të pavarur...”
“Komisioni ishte i obliguar dhe kishte në mandatin e tij që çdo vlerësim të projekteve lidhur me përmbajtjen programore të ofruar ta bëjë në bazë të kritereve të përcaktuara në aktin e brendshëm që e rregullon këtë procedure, e që buron nga vetë Ligji për RTK-në, në të kundërtën çdo veprim tjetër nga komisioni vlerësues jashtë aktit normative do të përbënte shkelje ligjore”, thuhet në sqarimin e menaxhmentit.
“Shkrimi në kallxo.com gjithmonë i referohet termeve kompani dhe produksion, duke tentuar që qëllimisht ta dëmtojë procesin e përzgjedhjes së fituesit dhe që të krijohet përshtypja në opinion publik që procesi ka qenë i kundërligjshëm. Sipas prodhimtarisë, vepra audiovizuele vendore mund të jenë me prodhim vendor të producentë të pavarur si person fizik, andaj vetëm pasi është përzgjedhur fituesi nga thirrja publike, procedurat e rregullta ligjore kanë vazhduar me prokurim”, thuhet në reagim.
Nga ana tjetër, menaxhmenti thotë se shkrimi përmban shpifje tjera, duke konkluduar se RTK-ja nuk ka ofruar qasje nëse aplikantët e tjerë kanë pasur apo jo certifikatë të regjistrimit. E vërteta është se kallxo.com ka kërkuar qasje në dosje të projekteve të aplikantëve, por në raste të tilla RTK respekton pronën intelektuale të secilit autor të veprave që gëzojnë mbrojtje në Ligjin për të drejtat e autorit dhe drejta tjera të përafërta në Republikën e Kosovës, shpjegohet në sqarimin e menaxhmentit.
“Po ashtu, kallxo.com shpif lidhur me negocimin e kontratës, pasi në fakt, sipas Rregullores, ka negociuar dhe e ka një episod shtesë nga shuma totale e kontraktuar”, ka sqaruar Menaxhmenti i RTK-së.























