Përfundon takimi në Bruksel, nuk ka takim të përbashkët të negociatorëve
A.B / RTKlive
(E plotësuar, ora 15:00) Kanë përfunduar takimet e ndara në mes të ndërmjetësit evropian, Miroslav Lajçak me kryenegociatorin serb Petar Petkoviq dhe më pas edhe atë kosovar, Besnik Bislimi.
Gazetarja e RTK-së, Gjeraqina Tuhina raporton se nuk do ketë takim të përbashkët trepalësh.
Lajçak në takim me Bislimin, pas atij me Petkoviqin
(E plotësuar) Kryenegociatorët e Kosovës dhe ai i Serbisë kanë nisur takimet në Bruksel për të diskutuar zbatimin e marrëveshjeve paraprake, të arritura mes dy vendeve.
Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë- Serbi, Mirosllav Lajçak, është takuar fillimisht me kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviq, njëherësh shef i të ashkuquajturës Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.
Lajçak është duke zhvilluar takime me krynegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimin, zëvendëskryeministër i Kosovës.
Më pas, nëse do të ketë vullnet nga palët, mund të ketë edhe takim trepalësh.
Në Bruksel do të mbahet takimi mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë
Sot në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian mbahet takimi i radhës mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq. Ky takim zhvillohet në kuadër të dialogut ndërmjet dy vendeve.
Qeveria e Kosovës njofton se në këtë takim do të trajtohet zbatimi i Marrëveshjes Bazike të 27 shkurtit, Aneksit Implementues të 18 marsit dhe plani i ri për ecjen përpara i 21 tetorit, ka njoftuar Zyra e Kryeministrit, raporton RTKlive.
“Ky është takimi vijues i këtij procesi pas atij të 26 tetorit me liderët e Gjermanisë, Francës, Italisë dhe BE-së, ku Republika e Kosovës theksoi qëndrimet e saj e gatishmërinë për nënshkrim dhe zbatim të të marrëveshjeve”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.
Ndryshe Brukseli që ndërmjetëson dialogun Kosovë-Serbi, por edhe SHBA-ja, vazhdimisht kërkojnë nga dy palët që të arrijnë një marrëveshje finale gjithpërfshirëse ku adresohen të gjitha çështjet.























