Maqedonci kërkoi përkrahje për anëtarësim të Kosovës në Kartën e Adriatikut
BKT
Foto: Ministria e Mbrojtjes
Lajme

Maqedonci kërkoi përkrahje për anëtarësim të Kosovës në Kartën e Adriatikut

V.Th. RTKlive

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, mori pjesë në takimin e Ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të SHBA-Kartës së Adriatikut (A5), zhvilluar sot në Shkup të Maqedonisë së Veriut, si kryesues aktual i Kartës.

Ministria e Mbrojtjes, përmes një komunikate njofton se  në takim u diskutua për situatën aktuale të sigurisë në suaza globale, si dhe sfidat e reja dhe implikimet e sigurisë të vendeve të rajonit tonë dhe më gjerë.

Ministri Maqedonci në adresimin e tij theksoi rëndësinë e jashtëzakonshme të bashkëpunimit rajonal me qëllim përballjen me sfidat e reja sigurisë, që vijnë si rezultat i qasjes keqdashëse të akterëve rajonal e global.

Gjithashtu, theksoi edhe një herë se Republika e Kosovës pret reagim më të qartë dhe më të ashpër të komunitetit ndërkombëtar kundrejt veprimeve të grupeve terroriste, të mbështetura nga strukturat shtetërore të Serbisë dhe theksoi vendosmërinë e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe institucioneve të sigurisë për ruajtjen e sovranitetit dhe mbrojtjes së integritetit territorial të vendit, gjithnjë duke u koordinuar me partnerët ndërkombëtarë.

Në fund, ministri Maqedonci ka kërkuar mbështetjen e vendeve anëtare për anëtarësimin e plotë të Republikës së Kosovës në SHBA-Kartën e Adriatikut (A5), si nismë regjionale për të hapur mundësitë për iniciativa të tjera regjionale dhe rrugën tonë Euro-Atlantike.

Në takim morën pjesë ministrat e mbrojtjes së Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë, Malit të Zi dhe Kosovës, zëvendës-sekretarja e Mbrojtjes së SHBA-së, si dhe përfaqësues nga ministritë e Mbrojtjes së Kroacisë, Sllovenisë, Bosnje Hercegovinës dhe Serbisë.

Në margjinat e kësaj ngjarjeje, ministri Maqedonci realizoi takime bilaterale me zëvendës- sekretaren e Mbrojtjes së SHBA-së, Celeste A. Wallander, ministren e Mbrojtjes së Maqedonisë së Veriut, Slavjanka Petrovska, ministrin e Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë, Niko Peleshi, ministrin e Mbrojtjes së Malit të Zi, Dragan Krapoviq.


MË SHUME NGA Lajme