Kurti dhe Ćudić flasin për format e bashkëpunimit ndërinstitucional
F.Sertolli / RTKlive
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar anëtaren e Dhomës së Përfaqësuesve të Asamblesë Parlamentare të Bosnjës dhe Hercegovinës, Sabina Ćudić, me të cilën ka diskutuar për mundësitë dhe format e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe për potencialin e këtij bashkëpunimi për qytetarët e të dyja vendeve, si dhe për situatën në rajon në këtë kohë të krizave të shumëfishta në kontinentin tonë evropian dhe në botë.
Në një njoftim për media nga Qeveria e Kosovës, thuhet se në këtë takim u shtrua nevoja e udhëtimit të lirë ndërmjet dy vendeve.
“Kjo, pasi marrëveshja për lëvizjen e lirë me letërnjoftime në kuadër të Procesit të Berlinit më së miri e adreson, si hap i rëndësishëm i përafrimit dhe rritjes së shkëmbimit ndërmjet shtetasve të Kosovës dhe Bonjës dhe Hercegovinës”, thuhet në njoftim.
Tutje, bëhet e ditur se kryeministri Kurti e ka përgëzuar deputeten Ćudić për qëndrimet e saj, duke e falënderuar për vizitën, e po ashtu asaj i ofroi bashkëpunim të mëtejmë.























