Asociacioni, analistët skeptikë në arritjen e marrëveshjes ndërmjet palëve
BKT
Lajme

Asociacioni, analistët skeptikë në arritjen e marrëveshjes ndërmjet palëve

SH.G. & M.M.& F.S./RTKlive

Rezultati i takimit të sotëm në Bruksel ndërmjet kryenegociatorëve të Kosovës e Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, për temat që janë trajtuar atje, analistët vlerësojnë se palët nuk kanë interesim për zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin. Këtë ide e argumentojnë me deklaratën e Bislimit, i cili tha se nuk mund të vazhdohet tutje pa nënshkrim, sepse nuk mund të ketë implementim pa nënshkrim.

Valon Murati, kryetar i LB-së, lidhur me deklaratën e Bislimit se nuk mund të vazhdohet më tutje pa nënshkrim, se nuk mund të ketë implementim pa nënshkrim, tha se Kurti, përmes kësaj, synon t’i ikë implementimit të Asociacionit.

“Proceduralisht dhe politikisht nuk jep asnjë shenjë se ka një relaksim ndërmjet palëve dhe as që ka ndonjë gjasë që në të ardhmen e afërt të zbatohet Asociacioni”, deklaroi Murati, në RTKPrime.

Murati: Kurti, nëse zbaton Asociacionin, politikan i zakonshëm

Se sa ka fuqi zbatuese nënshkrimi i marrëveshjeve ndërkombëtare, Murati tha se e drejta ndërkombëtare njeh edhe marrëveshje pa nënshkrim.

“Megjithatë kjo është një strategjik e mirëmenduar edhe e zotit Kurti, në njërën anë, por edhe e presidentit të Serbisë, Vuçiq, të cilët për arsye të ndryshme nuk janë të interesuar ta implementojnë marrëveshjen”, deklaroi Murati, teksa shtoi se Kurti tani po paraqitet si bashkëpunues me ndërkombëtarët, duke i ikur asaj figure të një politikani problematik.

Murati, më tej, tha se Kurti nëse zbaton marrëveshjen për Asociacionin, atëherë ai vlerësohet si politikan i zakonshëm, i radhës dhe kjo, nëse e sheh vetveten në të ardhmen, është goxha defetiste.

“Kurti e ka minuar terrenin për zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin, ndonëse e ka pranuar atë”, theksoi Murati.

Pula: Partitë politike të jenë unik kundër marrëveshjes për Asociacionin

Shqipërim Pula, analist, deklaroi se do të duhej të gjitha partitë politike kundër zbatimit të marrëveshjes për Asociacionit, sikundër tha ai, për të ruajtur substancën e shtetësisë së  Kosovës.

“Ne duhet të jemi refuzues në këtë çështje për të mos rikrijojmë problemet te brezat që vijnë”, deklaroi Pula, derisa shtoi se në kuptimin e marrëveshjeve ndërkombëtare ose funksionon forca ose funksionojnë pazaret.

Lajç: Të merremi me tema që janë më afatgjate

Ndërkaq ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Driton Lajçi, lidhur me konkretizimin e arritjes së marrëveshjes ndërmjet Kosovës e Serbisë, tha se nuk a ndonjë rregull se si mund të përcaktohet arritja e marrëveshjes, nëse duhet apo jo nënshkrimi.

Lajçi tha se jemi duke humbur energjinë duke u marrë me Asociacionin, derisa shtoi e Kosova ka interesa edhe me të shumta të tjera, se kështu qeveria është futur në lojën e Serbisë.

Më tej, Lajçi foli për Luginën e Preshevës, ku Serbia është duke zbatuar një politikë destruktive ndaj shqiptarëve atje, duke pasivizuar adresat e tyre, që kjo, në aspektin afatgjatë, vuri në dukje ai, në një të ardhme të mos ketë mundësi formimi i ndonjë asociacioni të ngjashëm atje.


MË SHUME NGA Lajme