Kosova e Shqipëria organizojnë kampionatin individual në pingpong
BKT
Sport

Kosova e Shqipëria organizojnë kampionatin individual në pingpong

RTKlive

Federatat e Pingpongut të Kosovës dhe Shqipërisë janë akorduar që nga ky vit te fillojnë me organizimin edhe të kampionatit individual të seniorëve krahas kampionatit ekipor që është duke u organizuar disa herë që nga viti 2013.


Ceremonia hapëse e kampionatit do të organizohet sot nga ora 14:15 në shkollën “Tefik Çanga” në Ferizaj.

Kampionati është paraparë të fillon nga ora 14:30 me ndeshjet në kategorinë Çifte Mix (të përziera), me pjesëmarrjen e 32 çifteve që do të garojnë në sistem eliminimi deri në shpalljen e kampionëve të parë të kësaj kategorie.

Më pas, KIM 1 vazhdon me kategorinë individuale faza e grupeve, lojtarët do të ndahen në 8 grupe meshkuj dhe 8 femra. Në secilin grup, 4 lojtarë do të ndeshen secili me secilin për dy vendet e para, që do t'u japin mundësi të vazhdojnë në fazën finale me eliminime.

Ditën e diele, me datë 19, garat vazhdojnë me kategorinë e çifteve të meshkujve dhe femrave, me pjesëmarrjen e 16 çifteve nga secila kategori që do të garojnë në sistem eliminimi deri në shpalljen e kampionëve të parë të këtyre dy kategorive.

Pas përfundimit të garave të çifteve, do të fillojnë ndeshjet me sistem eliminimi 16 lojtarët më të mirë nga faza e grupeve të kategorisë individuale.

"Si në të gjitha fazat e KIM 1 e posaçërisht në këtë pjesë të kampionatit pritet të ketë shumë ndeshje të forta që supozohet se do të jenë atraktive, sfiduese e emocionuese derisa të shpallet kampioni dhe kampionia e parë e Kampionatit individual mbarëkombëtar Kosovë/Shqipëri", njofton Federatat e Pingpongut të Kosovës.