Bislimi: Pakoja e BE-së na jep shpresë se zgjerimi është në fokus
M.Sh/RTKlive
Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, tha se Pakoja e zgjerimit e publikuar javën e kaluar e kthen një shpresë se zgjerimi i BE-së është përsëri në fokus të vëmendjes pas një dekade heshtje e stagnimi. Këtë deklaratë Bislimi i bëri në tryezën e organizuar nga Instituti EPIK, ku u diskutua mbi Raportin për Vendin për vitin 2023.
“Ne mbështesim fuqishëm "Planin e Rritjes” për Ballkanin Perëndimor, meqë e shohim si hap të duhur në drejtimin e duhur. BE-ja duhet të reformohet dhe të zgjerohet. Po ashtu besoj fuqishëm se përfitimet nga Tregu Unik i BE-së duhet të lidhen edhe me reformat ekonomike por edhe me avancimin e demokracisë”, deklaroi Bislmi.
Në fjalën e tij, zëvendëskryeministri Bislimi e ka vlerësim pozitiv në shumë nga fushat Raportin e BE-së për 2023, që kanë të bëjnë me ekonominë, tregun e lirë, përafrimin me standardet e BE-së e të ngjashme.
“Integrimi i përshpejtuar ekonomik dhe konvergjenca në të ardhura me BE-në dhe brenda Ballkanit Perëndimor, përkon në plotni me përkushtimin e Qeverisë dhe progresin e arritur në kriteret ekonomike gjatë kësaj periudhe”, tha ai, duke përmendur të gjitha fushat në të cilat ka patur progres gjatë kësaj periudhe qeverisëse.
Në këtë tryezë të pranishëm ishin edhe ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, ambasadori gjerman në Republikën e Kosovës, Jörn Rohde, deputetë e përfaqësues të tjerë institucionalë, si dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile.























