Shërbimit Korrektues i shtohen edhe 43 zyrtare
V.Th. RTKlive
Shërbimi Korrektues i Kosovës, sot ka shënuar 24-vjetorin e themelimit, ku u diplomua gjenerata e 43-të e zyrtareve korrektuese.
Nga kjo gjeneratë të diplomuarat ishin gra. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se me qëllim të ngritjes së kuotës gjinore, SHKK-ja po certifikon 45 zyrtare gra.
Kurti shtoi se në qeverisjen e tij kanë shtuar kapacitetet për ngritjen e profesionalizmit të këtij shërbimi, duke theksuar se me ndihmën e Ambasadës amerikane janë trajnuar 104 zyrtarë në fusha të ndryshme.
“Shënimi i përvjetorëve të institucioneve është i rëndësishëm kur efikasiteti është i lartë dhe inkurajohemi për më shumë punë në të ardhmen. Të burgosurit nuk janë të lirë por kanë të drejta dhe ne u shërbejmë për këtë qëllim”, tha ai.
Tutje Kurti tha se Shërbimi Korrektues është në rrugë të mbarë të garantimit të një mjedisi të sigurt për të gjithë me ambiente rehabilituese e risocializuese, teksa shtoi se synimi i qeverisë është që të gjithë të burgosurit kur të përfundojnë dënimin të integrohen në një shoqëri më të mirë e më të drejtë.
"Përgatitjet për këtë nuk do të mungojnë. Do të shtohet profesionalizimi, derisa kujdesi dhe siguria do të jenë prioritet dhe trajtimi dinjitoz i të gjithëve pa dallim do të jetë i përhershëm", ka shtuar Kurti.
Drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismajl Dibrani, tha se institucioni që ai e drejton ka shënuar një sukses edhe në luftën kundër kontrabandës dhe korrupsionit.
“Sot Shërbimi Korrektues i Kosovës shënon 24 vjetorin e themelimit, duke dhënë një shërbim profesional në fushën e drejtësisë. Ne do të vazhdojmë të punojmë për një sistem të sigurt dhe për të rritur besimin në sistemin e drejtësisë”, tha Dibrani.
Tutje Dibrani tha se organizatat ndërkombëtare dhe vendore Shërbimin Korrektues të Kosovës e cilësojnë si një prej shërbimeve më të besueshme dhe kredibile jo vetëm në rajon por edhe më gjerë.
Sipas Dibranit përfundimi prej shtatë muajsh i trajnimeve, shënon një rrugë drejt profesionalizimit.
Kurse Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se është e lumtur për certifikimin e gjeneratës së përbërë nga gratë, duke i cilësuar ato si profesionale.
“Kemi avancuar drejt jetësimit të ligjit për ekzekutimin e sanksioneve penale por po ashtu edhe ligjit për shërbimin korrektues të Kosovës. Përmes ligjit për ekzekutimin e sanksioneve penale parashihen një varg të drejtash më të avancuara për personat që privohen nga liria. Kurse me ligjin për shërbimin korrektues të Kosovës janë paraparë parime më të larta lidhur me statusin, përgjegjësitë, menaxhimin, organizimin e përgjithshëm të Shërbimit Korrektues, zhvillimin profesional por po ashtu nevojat, trajnimet, transferimet dhe sistematizimin e nëpunësve”, ka deklaruar Haxhiu.























