Abdixhiku: Mirëpresim vendimin e Kushtetueses për ‘ligjin për çmimet tavan`
N.M. /RTKlive
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, thotë se e ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila e ka shpallur të pavlefshëm Ligjin për caktimin e çmimeve të produkteve bazike.
Abdixhiku, në një postim në Facebok, ka thënë se Kushtetuesja shpërfaqi jo vetëm paaftësinë e kësaj qeverie por dhe tendencat e saj që me vetëdije të shkelin atë.
“Siç edhe pritej, siç edhe kishim thënë gjithherë, Gjykata Kushtetuese e Kosovës hodhi poshtë EDHE NJË LIGJ, në gjithë tërësinë e tij, të qeverisë më antikushtetuese që ka pasur Kosova ndonjëherë. Duke e cilësuar ‘ligjin për çmimet tavan’ si ligj në kundërshtim me vlerat bazike të lirisë ekonomike të Republikës, kjo gjykatë shpërfaqi jo vetëm paaftësinë e kësaj qeverie por dhe tendencat e tyre që me vetëdije të shkelin Kushtetutën”, thotë Abdixhiku.
Ai shton se Kryeministri e ministrat rend mburreshin me këtë ligj. Kryeministri e ministrat mburreshin me paditurinë.
“Ju thoshim se s’bën, nuk kuptuan. Ju treguam si të bëhet, nuk dëgjuan. Ju thoshim se do të rrëzohet, u rrëzua. Tani nuk di cila është më e rëndë; paaftësia apo shkelja kushtetuese? Apo lënia e qytetarëve pa politikë adekuate e kushtetuese tash e dymbëdhjetë muaj. Çfarë mend kanë, do të ankohen - sikurse deri më tani - se si një ligj antikushtetues nuk zë vend. Merreni me mend, një kryeministër që ankohet se nuk po e lënë ta shkelë Kushtetutën. Sepse për ta, Republika është në shërbim të tyre”, shkruan Abdixhiku.
Ai thotë se për Lidhjen Demokratike, “Republika mbetet mbi të gjitha”.























