Kurti:Unioni i Bizneseve Shqiptaro-Gjermane urë ndërlidhëse mes dy shteteve
BKT
Lajme

Kurti:Unioni i Bizneseve Shqiptaro-Gjermane urë ndërlidhëse mes dy shteteve

M.P / RTKlive

Kryeministri Albin Kurti e ka cilësuar hapjen e zyrës të Unionit të Bizneseve Shqiptaro-Gjermane në Kosovë, si urë ndërlidhëse mes dy shteteve.

“Unë e përgëzoj Unionin që ofron një platformë të këtillë bashkëpunimi, sepse janë ura jonë ekonomike dhe tregtare me Bashkimin Evropian, në veçanti me Gjermaninë, dhe jam i interesuar që të shohim se a ka mënyra të reja, të tjera, se si ta bëjmë këtë lloj bashkëpunimi edhe në fusha të cilat nuk i kemi bërë deri më tani, përveç se ta shtojmë intensitetin aty ku tashmë bashkëpunimi po ndodhë”, deklaroi kryeministri.

Tutje, sipas njoftimit të Kryeministrisë, i pari i ekzekutivit shtoi se bizneset vendore po bëhen gjithnjë e më shumë konkurruese në tregun global dhe për një arritje të tillë bashkatdhetarët kanë një rol të pazëvendësueshëm përmes krijimit të mundësive për ndërmarrjet lokale në skenën ndërkombëtare.

Sipas kryeministrit, me mërgatën ndajmë edhe vlera të përbashkëta, siç është së fundmi edhe sistemi i mësimit dual, i cili u promovua para pak ditësh nga MASHT.

“Projektet preliminare të investimeve për përmirësimit të mjedisit të të bërit biznes deri në vitin 2030 do të jenë mbi 10 miliardë euro. Mbi 50 projekte infrastrukturore përafërsisht rreth 5 miliardë euro ku bëjnë pjesë transporti me 2.5 miliardë, energjia me 1.5 miliardë dhe mjedisi me 1 miliard, dhe projekte kapitale të cilat vetëm në vitet 2023-2024 janë mbi 6 mijë me përafërsisht 1.7 miliardë, dhe e fundit por jo për nga rëndësia siç thuhet mbi 1.2 GW shtesë të kapaciteteve energji të ripërtëritshme”, vazhdoi kryeministri.


MË SHUME NGA Lajme