Kurti: Nënshkrimi i marrëveshjeve, garancë për respektim dhe zbatim
M.Shefkiu/RTKlive
Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se Kosova mbetet e përkushtuar për zbatim të plotë, të shpejtë dhe të pakushtëzuar të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj, dhe se nënshkrimi i tyre, sipas tij, është garancë e respektimit dhe zbatimit të tyre drejt një normalizimi të qëndrueshëm të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Këto komente i ka bërë kryeministri Kurti në takim me ministren e Punëve të Jashtme, Çështjeve Evropiane, Tregtisë së Jashtme dhe Institucioneve Federale të Kulturës të Mbretërisë së Belgjikës, Hadja Lahbib. Në këtë takim kjo e fundit u shoqërua nga ambasadori i parë i Belgjikës në Kosovë, Gregoire Cuvelier.
Duke i uruar mirëseardhje në Kosovë, kryeministri Kurti fillimisht falënderoi mbështetjen që Belgjika i ka dhënë Kosovës dhe popullit të saj, dhe që vazhdon edhe sot e tutje.
Kurti kujton se sot, 15 vjet pas njohjes nga Belgjika dhe vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve, u bë edhe përurimi i ngritjes së përfaqësimit diplomatik të Belgjikës në Kosovë në nivel Ambasade, në një ceremoni ku e pranishme ishte zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.
“Hapja e Ambasadës së Belgjikës në Kosovë është manifestim i marrëdhënieve të shkëlqyeshme dypalëshe, potencialit dhe vullnetit të dyanshëm për thellim të raporteve”, deklaroi Kurti.
Me këtë rast, kryeministri dhe ministrja Lahbib diskutuan rreth mundësive të bashkëpunimit në fushën e ekonomisë, tregtisë, mbrojtjes e kulturës, krahas atij politik.
Meqë jemi në prag të Presidencës belge të Këshillit të Bashkimit Evropian, në këtët takim, sipas njoftimit të Kryeministrisë, u diskutua edhe për procesin e integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, përkatësisht të rrugëtimit të Republikës së Kosovës në atë drejtim.
Kurti tha se Kosova ka dorëzuar aplikimin e saj për anëtarësim më 15 dhjetor të vitit të kaluar, dhe është në pritje që të marrë statusin e vendit kandidat.
Në takim, sipas Qeverisë, u fol edhe për situatën e sigurisë në rajon dhe për raportet e Kosovës dhe Serbisë në dritën e sulmit terrorist dhe paramilitar në Banjskë të Zveçanit sot dy muaj më parë dhe takimin e 26 tetorit me liderët evropianë në Bruksel.
Kryeministri Kurti e njoftoi ministren belge Lahbib për angazhimin dhe qasjen konstruktive që Kosova ka pasur përgjatë procesit të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe për qëndrimin e Kosovës në takimin e fundit në Bruksel.























